Elissa Slotkin: Qeveria shqiptare të mbrojë protestuesit, të luftojë korrupsionin dhe të ulë tensionet

Senatorja amerikane Elissa Slotkin ka reaguar lidhur me protestat në Shqipëri, duke i kërkuar qeverisë shqiptare të shmangë përdorimin e tepruar të forcës policore, të përballet me korrupsionin dhe t’u japë përgjigje shqetësimeve të qytetarëve.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Slotkin shprehu shqetësimin e saj për përshkallëzimin e dhunës në vend. Ajo kujtoi se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore dhe të kërkojnë llogari nga përfaqësuesit e zgjedhur.

Të lidhura

None found

Senatorja tha se gjatë ditëve të fundit kishte marrë telefonata të shumta nga qytetarë të shqetësuar të Michiganit, të cilët kishin ngritur shqetësime për situatën në Shqipëri dhe zhvillimet në vende të tjera evropiane.

“Populli shqiptar ka të drejtë të protestojë në mënyrë paqësore dhe t’u kërkojë llogari zyrtarëve të zgjedhur prej tij”, shkroi Slotkin në mesazhin e saj.

Sipas saj, autoritetet shqiptare duhet të respektojnë shtetin e së drejtës, të garantojnë sigurinë e protestuesve, të luftojnë korrupsionin dhe të dëgjojnë kërkesat e qytetarëve.

Në fund, senatorja amerikane u bëri apel të gjitha palëve që të punojnë për zbutjen e tensioneve dhe për arritjen e një zgjidhjeje paqësore.

“U bëj thirrje të dyja palëve të bëjnë gjithçka që munden për të ulur tensionet dhe për të gjetur një rrugë paqësore për të ecur përpara”, deklaroi ajo.


Shtuar më 21.10.2026 22:24