I dërguari special i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, deklaroi se janë shënuar zhvillime diplomatike në përpjekjet për ndërmjetësimin e konfliktit mes Moskës dhe Kievit, pas takimit të zhvilluar në Shën Petersburg me presidentin rus Vladimir Putin. Ai theksoi gjithashtu se përpara palëve mbetet ende puna për hartimin e një marrëveshjeje paqeje.
Përmes një postimi në platformën X, Witkoff tha se presidenti Donald Trump vazhdon të jetë i angazhuar për përfundimin e luftës dhe për arritjen e një paqeje të plotë e të qëndrueshme, e cila do të sigurojë prosperitet dhe siguri për brezat e ardhshëm. Sipas tij, bisedimet “konstruktive” do të pasohen nga diskutime teknike trepalëshe mes SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës.
Të lidhura
None found
Witkoff bëri të ditur se, së bashku me Jared Kushner, në Oslo dhe në Shën Petersburg zhvilluan takime me përfaqësues rusë, ukrainas dhe evropianë, në kuadër të misionit të Presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës.
Ai shpjegoi se takimi me Putinin në Shën Petersburg synonte të ndërtonte mbi përparimin e arritur në Oslo me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, si dhe të shqyrtonte një kornizë të mundshme për paqen. Gjatë këtij takimi, Witkoff tha se falënderoi gjithashtu presidentin rus për lirimin e shtetasit amerikan Steven Hubbard, i cili mundi të rikthehej te familja e tij.
Takimi mes Vladimir Putinit dhe Steve Witkoff zgjati tre orë.
Agjencitë ruse të lajmeve raportuan se Putin shprehu mirënjohje ndaj presidentit amerikan Donald Trump për përpjekjet e tij në drejtim të zgjidhjes së konfliktit. Kreu i Kremlinit deklaroi gjithashtu se Rusia është e interesuar për rivendosjen e marrëdhënieve ekonomike me Shtetet e Bashkuara.
Sipas Witkoff, ekziston një bazë për vendosjen e një armëpushimi në Ukrainë. I dërguari amerikan tha se shpreson që Putin të japë mbështetje për rifillimin e negociatave mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së.
“Shpresoj që sot të zhvillojmë një bisedë konstruktive për mundësinë e rikthimit te bisedimet trepalëshe mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Edhe nëse nuk arrijmë një zgjidhje gjatë ditës së sotme, diskutimi dhe shqyrtimi i hapit të ardhshëm do të ishte i rëndësishëm, ndërsa njerëzit presin të dëgjojnë për këtë”, i tha Witkoff presidentit Putin.





