Një zjarr ka shpërthyer në masivin pyjor që shtrihet mbi qytetin e Milotit, në territorin e Bashkisë Kurbin, duke alarmuar banorët për shkak të ritmit të përhapjes së flakëve.
Terreni i vështirë dhe bimësia e dendur po e ndihmojnë avancimin e zjarrit. Tymi dhe flakët kanë mbërritur pranë zonave të banuara, duke shtuar rrezikun për banorët dhe objektet në afërsi.
Të lidhura
None found
Për përballimin e situatës në terren janë angazhuar shërbimet zjarrfikëse të Bashkisë Kurbin, të cilat po mbështeten nga ekipet e Lezhës dhe Kamzës, si edhe nga strukturat e tjera të emergjencave.
Prefekti i Lezhës, Taulant Malshi, i pranishëm në vendngjarje, bëri të ditur se për shuarjen e zjarrit ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri. Ai u shpreh se puna vështirësohet ndjeshëm nga terreni dhe dendësia e bimësisë, faktorë që po përshpejtojnë përhapjen e flakëve, veçanërisht pranë banesave.
Ekipet e angazhuara vijojnë operacionin për izolimin dhe shuarjen e zjarrit, me qëllim parandalimin e përhapjes së tij drejt zonave të banuara.
