Njëzet e një raste të fruthit janë konfirmuar në Suedi pas një festivali muzikor të mbajtur në veri të vendit, bëri të ditur Autoriteti i Shëndetit Publik.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit, rastet janë raportuar në rajone të ndryshme, por të gjitha lidhen me festivalin Urkult, i zhvilluar nga fundi i korrikut deri në fillim të gushtit.
Shumica e të infektuarve janë nën 18 vjeç dhe pjesa më e madhe e tyre nuk kishin marrë vaksinën kundër fruthit.
“Shpërthimet e fruthit janë të rralla. Vaksinimi kundër fruthit është pjesë e programit kombëtar të vaksinimit të fëmijëve dhe mbulimi i vaksinimit është rreth 95%”, deklaroi Autoriteti i Shëndetit Publik në një njoftim për shtyp.
Për të frenuar përhapjen e virusit, autoritetet shëndetësore rajonale kanë nisur gjurmimin e personave që kanë qenë në kontakt me të infektuarit.
Fruthi konsiderohet një sëmundje tepër ngjitëse. Ai transmetohet kryesisht përmes pikave të frymëmarrjes, veçanërisht në vende ku mblidhen shumë njerëz.
