Si u bë leva e Volkswagen Golf GTI simboli i topit të golfit?

Volkswagen Golf GTI njihet për karakterin e tij sportiv dhe performancën, por një prej detajeve që e dallon më shumë është leva e ndërrimit të shpejtësive, e projektuar me një majë që të kujton një top golfi.

Kjo zgjidhje e veçantë e dizajnit u shfaq që në vitin 1976 dhe që atëherë është shndërruar në një pjesë të identitetit të modelit sportiv gjerman.

Të lidhura

None found

Ndonëse emri Golf zakonisht lidhet me Rrymën e Golfit dhe jo me sportin me të njëjtin emër, Volkswagen vendosi ta shfrytëzonte këtë përkim. Prodhuesi gjerman e ktheu lidhjen simbolike në një element konkret të kabinës.

Në vend që leva të kishte një përfundim klasik të rrumbullakët, ajo u pajis me gropëza të vogla, të ngjashme me ato që gjenden në sipërfaqen e topave të golfit. Ky ndryshim i thjeshtë e bëri menjëherë të dallueshëm brendësinë e Golf GTI.

Pas kësaj ideje qëndron Gunhild Liljequist, specialiste e dizajnit të brendshëm që punonte për Volkswagenin në atë periudhë. Sipas historisë së këtij detaji, propozimi i lindi spontanisht teksa kërkonte mënyra për ta lidhur pamjen e kabinës me botën e sportit.

“Po sikur leva e ndërrimit të shpejtësive të ishte një top golfi?”, ishte ideja që ajo hodhi dhe e cila më vonë u përfshi në dizajnin e modelit.

Propozimi mori miratimin e Herbert Schäfer, kryedizajnerit të Volkswagenit në kohën kur Golf GTI po ndërtonte identitetin e tij. Fakti që Schäfer ishte edhe adhurues i golfit e bëri këtë zgjedhje edhe më të përshtatshme.

Golf GTI u prezantua për herë të parë në vitin 1976 dhe shumë shpejt u rendit ndër veturat sportive kompakte më të njohura në botë. Krahas fuqisë dhe sjelljes sportive, ai u veçua edhe nga elemente të brendshme si ulëset me stof me kuadrate dhe leva e ndërrimit të shpejtësive në formën e një topi golfi.

Një ide e lindur rastësisht përfundoi duke u bërë një nga shenjat më të njohura të Golf GTI, duke treguar se një detaj i vogël mund t’i japë një automjeti identitet dhe karakter të veçantë.


Shtuar më 21.10.2026 23:57