Belind Këlliçi ka publikuar një reagim në Facebook lidhur me dy ngjarjet e fundit kriminale të ndodhura në Sarandë dhe Ksamil.
Sipas tij, në të dyja rastet efektivë të policisë kanë rezultuar të përfshirë, por jo në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë, por si palë në ngjarje.
Të lidhura
None found
Ai akuzon qeverinë e Edi Ramës për përgjegjësi politike për gjendjen e krijuar në Policinë e Shtetit dhe kujton hetimet e përgjimet e autoriteteve franceze dhe belge, të cilat, sipas tij, kanë nxjerrë në pah lidhje midis grupeve kriminale dhe strukturave të policisë.
Këlliçi e konsideron më të rëndë ngjarjen në Ksamil, ku një turist 20-vjeçar portugez humbi jetën. Ai pretendon se autori i dyshuar, një person me precedentë penalë, ishte i punësuar në biznesin e një individi me probleme me ligjin dhe kishte si koleg një oficer policie, i cili dyshohet se ka ndihmuar në kryerjen e krimit dhe në arratisje.
Në reagimin e tij, Këlliçi shkruan se oficeri dhe krimineli ishin të dy të punësuar në të njëjtin vend, madje në të njëjtën bordero. Sipas tij, kjo bashkëjetesë mes atyre që duhet të garantojnë ligjin dhe atyre që janë objekt i punës së tyre është tronditëse dhe e shtrirë në çdo nivel.
Ai përmend edhe rastin e Sarandës, ku thotë se për pak ndodhi një përballje midis forcave të policisë: nga njëra anë oficerë që punonin me kohë të pjesshme ose sezonale për një klub privat, dhe nga ana tjetër përfaqësuesit e komisariatit.
Këlliçi thekson se nuk ka asnjë dyshim që truproja privatë që kryejnë krime dhe oficerë të betuar për të shërbyer ligjin punojnë së bashku në shumë lokale, klube dhe ambiente të tjera të frekuentuara në të gjithë vendin, çka përbën një skemë të përhapur.
Ai shton se lidhjet dhe inkriminimi i kupolës së policisë me bandat tashmë janë të njohura. Përgjimet e sjella nga autoritetet franceze dhe belge, sipas tij, tregojnë se grupe të fuqishme kriminale kanë ndikuar në emërimin e shefave të komisariateve dhe drejtorëve.
Megjithatë, Këlliçi vëren se rastet e ditëve të fundit po dëshmojnë se kjo simbiozë është shtrirë në mënyrë pandemike edhe në terren, çka tregon për një sëmundje të rëndë në indin kryesor të shtetit, atë të policisë.
Në përfundim, ai shprehet se kjo gjendje alarmante ka ardhur pas 13 vitesh pushtet të Edi Ramës, i cili, sipas tij, i ka pasur vazhdimisht bandat dhe grupet kriminale si shtabe elektorale. Këlliçi thekson se nevojitet një përmbysje totale për të shkulur këtë inkriminim dhe bashkëjetesë midis krimit, të fortëve dhe oficerëve të shkolluar, të betuar dhe të paguar nga taksat e qytetarëve për të zbatuar ligjin.
