Mbështeti protestën studentore, Capital T kontaktohet nga policia: Do të sqarohemi kur të kthehesh në Tiranë

Reperi kosovar Capital T ka dalë publikisht në mbështetje të qytetarëve që po protestojnë në Shqipëri. Në reagimin e tij, ai u ka bërë thirrje mediave në Kosovë që t’i kushtojnë më shumë hapësirë dhe vëmendje situatës kritike në Tiranë.

Artisti ka theksuar rëndësinë e informimit të pavarur dhe të saktë, duke kërkuar që kërkesat dhe zëri i protestuesve të mos anashkalohen. Sipas tij, media ka përgjegjësinë të pasqyrojë të vërtetën, të denoncojë shkeljet e mundshme dhe të informojë publikun për çështjet me interes të gjerë.

Të lidhura

None found

Pas këtij reagimi, Capital T është telefonuar nga një person që është prezantuar si oficer i policisë kriminale në Tiranë. Sipas një audioje të publikuar nga Dosja.al, telefonuesi e ka pyetur reperin për vendndodhjen dhe kohën kur do të rikthehej në Shqipëri.

Më poshtë është biseda e transkriptuar mes tyre:

Biseda në telefon:

Niko Kurti: Jam oficer te Myslim Shyri në Tiranë. Ku jeni?

Capital T: Mirëmëngjes, jam në Amerikë.

Niko Kurti: Kur do ktheheni.

Capital T: Nuk kam ndonjë datë. Më pyet.

Niko Kurti: Nuk është bisedë që bëhet në telefon. Kur ke ik në Amerikë?

Capital T: Kam ca ditë?

Niko Kurti: Një sekond mos ma mbyll, një sekond të lutem!

Capital T: Këtu jam pa merak.

Niko Kurti: Më dëgjon tani, nuk ma the kush ishe?

Capital T: Kë kërkon vëlla?

Niko Kurti: Trim Ademi je?

Capital T: Po

Niko Kurti: Kur të vish do të pyes, të sqaroj për një rrethanë.

Capital T: Po mirë për ca bëhet fjalë

Niko Kurti: Mos u shqetëso se me qenë s’do të merrnim në telefon. Kur të vish në Tiranë hajde këtu te puna dhe flasim.

Nga komunikimi nuk bëhet e ditur se cila është arsyeja konkrete e interesimit të policisë. Megjithatë, telefonata ndaj një prej artistëve më të njohur shqiptarë, pas mbështetjes së tij për protestat, ka shkaktuar shqetësime lidhur me mundësinë e përdorimit të strukturave të rendit për të ushtruar presion ndaj zërave kritikë publikë.


Shtuar më 21.10.2026 21:37