Senatorja amerikane Elissa Slotkin apelon për ndalimin e dhunës në Shqipëri: Qeveria të mbrojë protestuesit dhe të luftojë korrupsionin!

Senatorja e Shteteve të Bashkuara, Elissa Slotkin, ka reaguar zyrtarisht për situatën e tensionuar dhe episodet e dhunës të regjistruara gjatë ditëve të fundit në Shqipëri. Reagimi i saj erdhi pas shqetësimeve të shprehura nga qytetarë amerikanë me origjinë shqiptare.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Slotkin nënvizoi se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore dhe përgjegjshmëria e institucioneve përbëjnë elemente thelbësore të demokracisë.

Të lidhura

None found

“Gjatë ditëve të fundit, kam marrë disa telefonata nga banorë të Miçiganit, të shqetësuar për përshkallëzimin e dhunës në Shqipëri, mes vendeve të tjera evropiane. Populli shqiptar ka të drejtë të protestojë në mënyrë paqësore dhe t’u kërkojë llogari zyrtarëve të zgjedhur”, deklaroi senatorja amerikane.

Slotkin iu drejtua edhe qeverisë shqiptare, duke kërkuar respektimin e shtetit ligjor, mbrojtjen e protestuesve dhe shmangien e përdorimit të tepruar të forcës nga policia.

“Qeveria shqiptare ka gjithashtu përgjegjësinë të respektojë sundimin e ligjit, t’i mbrojë protestuesit nga përdorimi i tepruar i forcës policore, të luftojë korrupsionin dhe t’u përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve. U bëj thirrje të dyja palëve të angazhohen maksimalisht për uljen e tensioneve dhe për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për të vijuar përpara”, tha ajo.


Shtuar më 21.10.2026 22:05