Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi në një lidhje live me gazetarin Ilir Kazaferi se protestat kanë shkaktuar dëme te bizneset dhe kanë ndikuar në aktivitetin ekonomik të tyre. Sipas saj, më të prekura janë bizneset e vogla, të cilat nuk kanë qëndrueshmëri të mjaftueshme financiare për të vijuar pagesën e pagave gjatë periudhave të mbylljes.
Ajo theksoi gjithashtu se pasojat janë ndier edhe në sektorin e turizmit. Deri tani, 90 subjekte kanë raportuar dëme në vlera të ndryshme, ndërsa ministrja bëri të ditur se këto biznese do të rimbursohen.
Të lidhura
None found
“Deri tani janë 90 subjekte që kanë deklaruar se janë dëmtuar, me vlera të ndryshme. Dëmet do të dokumentohen nga bizneset, ndërsa 10 grupe nga administratat tatimore po shkojnë në terren për të verifikuar situatën dhe për të mbledhur evidencat përkatëse. Pas përfundimit të verifikimit të vlerave përmes faturave, qeveria shqiptare do të nisë procesin dhe do të mbulojë dëmet e tyre”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja shtoi se po përgatitet akti që do të përcaktojë mënyrën e rimbursimit. “Pa diskutim që kjo situatë ka pasur ndikim në ekonominë shqiptare. Fillimisht janë prekur dyqanet dhe bizneset që janë detyruar të mbyllen, kryesisht subjekte të vogla që nuk kanë mundësi të paguajnë pagat për një periudhë të gjatë nëse aktiviteti i tyre ndërpritet”, tha ajo.
Sipas Ibrahimajt, efektet janë shtrirë edhe te aktivitetet që lidhen me konsumin e përditshëm dhe turizmin. Ajo vuri në dukje se turizmi ka qenë në bum vitet e fundit në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit, ndërsa situata aktuale përbën një pengesë të madhe si për bizneset e mbyllura, ashtu edhe për ato që vijojnë punën, por kanë pësuar rënie të konsumit dhe të xhiros.
Gjatë intervistës, ministrja foli edhe për programin e “Garancisë Rinore”, i cili synon të mbështesë punësimin dhe aftësimin profesional të të rinjve në Shqipëri.
Programi ka një fond të përgjithshëm prej rreth 60 milionë eurosh dhe u drejtohet të rinjve dhe të rejave deri në moshën 29 vjeç. Objektivi është t’u krijohen mundësi konkrete për përfshirje në tregun e punës.
“Garancia rinore është një program i hartuar në bashkëpunim me Bashkimin Europian. Ai parashikon një fond total prej gati 60 milionë eurosh dhe është i përqendruar te punësimi, si edhe te ofrimi i mundësive për aftësim profesional për çdo të ri dhe të re deri në moshën 29 vjeç”, deklaroi Ibrahimaj.
Ajo sqaroi se modele të tilla janë zbatuar me sukses në disa vende europiane, përfshirë vende që kanë qenë kandidate dhe më pas janë anëtarësuar në Bashkimin Europian. Programi është pilotuar në vitin 2026 dhe pritet të shtrihet në të gjithë republikën gjatë vitit 2027.
Ministrja tha se nisma është përgatitur më herët në bashkëpunim me ekspertët e Bashkimit Europian dhe se zbatimi i saj në shkallë të gjerë do të nisë në vitin 2027. Programi është përfshirë edhe në buxhetin e vitit 2027.
Sipas parashikimeve, gjatë vitit 2027 synohet ndërmjetësimi për punësimin e rreth 10.000 të rinjve. Ibrahimaj e cilësoi tregun e punës si dinamik dhe me kërkesa të larta për burime njerëzore të kualifikuara, duke nënvizuar se studentët përbëjnë një nga grupet më të kërkuara nga punëdhënësit.
“A ka mundësi të bëjmë më shumë? Patjetër. Duhet të ulemi me studentët dhe të diskutojmë konkretisht për programet që kemi. Jam e bindur se ekziston deri diku edhe një nivel dizinformimi për nismat që janë aktualisht në zbatim. Përmes dialogut me studentët do të mund të trajtojmë edhe problematikat që ata do të ngrenë”, përfundoi ministrja.






