Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë, duke bërë të ditur se kanë mbetur edhe 30 ditë deri më 16 shtator, datë kur pritet të shpallet aktgjykimi.
Të lidhura
None found
Sipas Hamzës, kjo datë duhet të shënojë përfundimin e gjashtë viteve të paraburgimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
“Sot na ndajnë 30 ditë nga 16 shtatori, dita kur do të marrë fund procesi gjashtëvjeçar i padrejtë, që i ka mbajtur Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin të izoluar në Hagë”, ka shkruar Hamza.
Ai ka theksuar se katër ish-krerët e UÇK-së kanë kaluar një periudhë të gjatë në paraburgim, të ndarë nga familjet e tyre dhe nga Kosova.
“Gjashtë vite paraburgim. Gjashtë vite larg familjeve dhe Kosovës. Gjashtë vite përballje me paragjykime, tendenca, narrativa politike, shkelje të të drejtave dhe padrejtësi të shumta”, ka deklaruar ai.
Kreu i PDK-së ka nënvizuar se pozicioni i tij dhe i subjektit që drejton nuk ka ndryshuar, ndërsa kërkesa mbetet drejtësia dhe lirimi i katër ish-udhëheqësve të UÇK-së.
“Pritshmëritë dhe kërkesat tona janë të qarta: drejtësi dhe lirim”, ka thënë Hamza.
Hamza ka deklaruar se 16 shtatori duhet të shërbejë si pikë përmbyllëse e këtij kapitulli dhe si dita e kthimit në Kosovë të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.
“Pas gjashtë vitesh, 16 shtatori duhet të jetë dita kur mbyllet ky kapitull i dhimbshëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin tonë. Duhet të jetë dita kur katër ish-udhëheqësit e UÇK-së kthehen në shtëpi”, ka shkruar ai.
Në fund të reagimit, kreu i PDK-së ka përsëritur se mbeten edhe 30 ditë deri në vendimin e gjykatës, duke e lidhur pritjen me kërkesën për drejtësi.
“Presim edhe 30 ditë. Presim drejtësi”, ka përfunduar Hamza.
