Vendosja e një sinjali shtesë frenimi në pjesën e përparme të automjeteve mund të shmangë deri në 17 për qind të aksidenteve në kryqëzime. Ky është përfundimi i një studimi të kryer nga shkencëtarët e Universitetit Teknik të Grazit mbi ndikimin që kjo teknologji mund të ketë në sigurinë rrugore.
Të lidhura
None found
Ndryshe nga dritat e zakonshme të frenimit, të cilat njoftojnë vetëm drejtuesit që lëvizin pas automjetit, sinjali i përparmë do t’u tregonte këmbësorëve dhe shoferëve që vijnë nga drejtimi i kundërt se mjeti po ngadalëson.
Sipas studiuesve, për këto drita do të përdorej ngjyra e gjelbër dhe jo ajo e kuqe. Ato mund të përfshihen pa vështirësi në dizajnin e automjeteve, ndërsa instalimi i tyre me kosto relativisht të ulët do të ishte i mundur edhe te mjetet që janë aktualisht në përdorim.
Ekipi shkencor, i drejtuar nga Ernst Tomasch i Institutit për Sigurinë e Automjeteve, rindërtoi 200 aksidente reale trafiku të regjistruara në kryqëzimet rrugore të Austrisë. Më pas, rastet u simuluan duke marrë si të mirëqenë se automjetet e përfshira kishin drita frenimi edhe në pjesën e përparme.
Rezultatet treguan se, në varësi të shpejtësisë së reagimit të pjesëmarrësve në trafik, mund të shmangeshin nga 7.5 deri në 17 për qind e përplasjeve. Në afërsisht një të katërtën e rasteve, këto drita do të ndihmonin në uljen e shpejtësisë në momentin e goditjes, duke kufizuar rrjedhimisht edhe pasojat e lëndimeve.
Faktori vendimtar është zvogëlimi i kohës së reagimit, pasi edhe një interval i shkurtër mund të përcaktojë nëse ndodh një aksident apo automjeti arrin të frenojë në kohë.
Teknologjia, megjithatë, nuk është pa kufizime. Studimi i TU Graz, i botuar së fundmi në një revistë shkencore për automjetet, zbuloi se në rreth një të tretën e aksidenteve të rindërtuara, sinjalet e përparme të frenimit nuk do të shiheshin për shkak të këndit të papërshtatshëm të shikimit.
Për ta kapërcyer këtë pengesë dhe për ta bërë sinjalin të dallueshëm nga sa më shumë drejtime, shkencëtarët propozojnë që dritat e frenimit të montohen edhe në anët e automjetit.
