Pas triumfit 4-0 kundër Audas, rezultat që i siguroi kalimin në fazën “play-off” të Conference League, Dinamo e shikon vazhdimin me besim dhe optimizëm.
Të lidhura
None found
Një nga futbollistët që kontribuoi drejtpërdrejt në këtë sukses të rëndësishëm të dinamovitëve, Klevi Qefalija, foli pas takimit në një intervistë për “Newsport.al”.
Mesfushori tregoi se si u përjetua brenda ekipit çasti vendimtar i ndeshjes, ndërsa u ndal edhe te rivali i turit të fundit dhe objektivat e Dinamos në Superiore.
Goli juaj i dytë, i realizuar në mbyllje të pjesës së parë, ia shtroi rrugën Dinamos për fitoren 4-0. Si e përjetoi skuadra këtë moment historik?
Për ne kishte peshë të jashtëzakonshme, veçanërisht për faktin se goli u shënua në fund të 45 minutave të para. Ai na shtoi ndjeshëm sigurinë dhe, kur hymë në dhomat e zhveshjes, besonim se mund ta ruanim të njëjtin ritëm edhe në vazhdim. Arritëm një sukses të madh, por mbi të gjitha mendoj se dëshmuam forcën e karakterit të skuadrës.
Që nga fillimi i kualifikueseve, rezultatet e punës së trajnerit duken qartë. Cili është plani për përpjekjen e fundit në “play-off”?
Nuk ka dyshim se trajneri dhe pjesëtarët e stafit kanë punuar shumë mirë, ndërsa ne përpiqemi t’i përmbushim sa më saktë kërkesat e tyre. Na pret edhe një pengesë dhe do të bëjmë maksimumin që ta kapërcejmë. Nevojitet përqendrim i plotë dhe akoma më shumë punë.
Pafos është kundërshtari i fundit në këtë etapë vendimtare dhe sezonin e kaluar u kualifikua në grupet e Champions League. A ka nisur skuadra ta studiojë rivalin?
Po, sigurisht. Përballë do të kemi një ekip shumë të fortë, që zotëron përvojë në Europë, ndaj jemi të vetëdijshëm për vështirësinë e madhe të kësaj sfide. Do ta shqyrtojmë me kujdes lojën e tyre, duke evidentuar si pikat e forta, ashtu edhe dobësitë, në mënyrë që të paraqitemi në fushë sa më të përgatitur.
Dinamon e ndan vetëm një hap nga grupet e Conference League. A besoni se kjo gjeneratë mund të shkruajë historinë pikërisht tani, apo zgjidhni të mbeteni me këmbë në tokë?
Natyrisht që e kemi në mendje dhe e duam një arritje historike, pasi ky është qëllimi për të cilin punojmë. Megjithatë, duhet të ruajmë realizmin. Përpara kemi dy ndeshje me rëndësi shumë të madhe dhe duhet të mendojmë për secilën veçmas. Besoj se mund ta realizojmë nëse vazhdojmë të punojmë të bashkuar dhe japim gjithçka.
Nga paraqitjet tuaja kuptohet se, përveç golave, jepni një kontribut të madh edhe në fazën sulmuese. A lidhet kjo me mënyrën se si ju pozicionon trajneri Daja, apo ka edhe faktorë të tjerë?
Është fryt i disa elementeve së bashku. Trajneri më ka shfaqur besim të madh dhe më ka orientuar që të kuptoj më qartë rolin tim në fushë, si edhe detyrat që pret të kryej. Pa dyshim, ndikim ka edhe mbështetja e të gjithë shokëve, sepse funksionimi i mirë i skuadrës u krijon individëve më tepër hapësirë për të treguar cilësitë.
Superiore nis sërish pas një jave dhe ndeshjen e parë e luani ndaj Vorës. Krahas përqendrimit të plotë në Conference League, çfarë synon “Nëndetësja” në sezonin e ri?
Objektivat tanë janë padyshim të mëdhenj. Dinamo është një klub që kërkon gjithmonë majat, prandaj duam të zhvillojmë një sezon sa më pozitiv në kampionat dhe do të luftojmë me forcë për titullin kampion. Sipas meje, kemi ndërtuar një grup shumë cilësor dhe këtë sezon mund të realizojmë gjëra të bukura.
Ermal SPAHIU
