Kosova dëbon predikuesin islamik boshnjak Elvedin Peziq

Elvedin Peziq, predikues islamik nga Bosnje e Hercegovina, u dëbua nga Kosova më 14 gusht. Një burim i informuar për organizimin e aktiviteteve dhe qëndrimin e tij në vend e konfirmoi lajmin për Radion Evropa e Lirë.

Të lidhura

None found

Dëbimi ndodhi një ditë pasi Peziq ishte shoqëruar nga Policia, pak para promovimit të një libri në Vitomiricë të Pejës. Pas këtij aktiviteti, ai parashikonte të mbante ligjërata edhe në rajonin e komunës së Istogut, si dhe në Prizren.

Sipas të njëjtit burim, Peziq është nxjerrë nga territori i Kosovës përmes pikëkalimit kufitar me Malin e Zi.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua disa herë Policisë së Kosovës për të mësuar arsyet e dëbimit, por nuk arriti të merrte përgjigje.

Legjislacioni në Kosovë mundëson dëbimin e një shtetasi të huaj në rast se ai konsiderohet rrezik për rendin publik, sigurinë shtetërore ose shëndetin publik.

Kush është Elvedin Peziq?

Peziq është predikues islamik nga Bosnje e Hercegovina, prej vitesh i pranishëm në internet. Ai njihet për pikëpamjet e tij konservatore dhe si një prej predikuesve që lidhen me selefizmin.

Në Facebook numëron më shumë se 300 mijë ndjekës, ndërsa vepron edhe në platforma të tjera, ku shpërndan ligjërata, këshilla me përmbajtje fetare dhe komente mbi tema shoqërore.

Deklaratat e tij kanë nxitur kritika në të kaluarën në Bosnje e Hercegovinë. Bashkësia Islame e Bosnje e Hercegovinës kishte reaguar ndaj një qëndrimi të Peziqit për pozitën e gruas në shoqërinë perëndimore, duke thënë se pikëpamje të tilla bien ndesh me mësimet islame mbi të drejtat dhe detyrimet e grave myslimane.

Ky institucion kishte kundërshtuar më herët edhe një postim të tij, në të cilin Peziq kishte deklaruar se “shoqëria perëndimore është rrënuar moralisht” pasi gruaja “është nxjerrë nga shtëpia” dhe është bërë “gjithçka, përveçse nënë”. Bashkësia Islame e Bosnjës kishte vlerësuar se këto deklarata nuk përputhen me mësimet e Islamit për të drejtat dhe përgjegjësitë e grave myslimane.

Pikëpamjet e Peziqit janë përballur shpesh edhe me kritika nga opinioni publik në Bosnje e Hercegovinë.

BIK-u thotë se nuk kishte dijeni për vizitën

Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës në Pejë deklaroi më herët gjatë së premtes për REL-in se BIK-u nuk ishte njoftuar për ardhjen e Peziqit dhe as për aktivitetet që ai do të zhvillonte në Kosovë.

Sipas këtij institucioni, predikuesi nuk kishte kërkuar leje apo pëlqim për aktivitetin. BIK-u gjithashtu nuk kishte ofruar ndihmë materiale ose logjistike për vizitën e tij.

BIK-u bëri të ditur se për këtë çështje kishte komunikuar me Policinë e Kosovës. Këshilli në Pejë tha se Policia i ishte drejtuar përmes një shkrese dhe se institucioni i ishte përgjigjur, pa treguar se çfarë përmbante komunikimi.

Këshilli theksoi se zhvillimi i çdo veprimtarie fetare, qoftë në objekte fetare apo në hapësira të tjera, kërkon lejen ose pëlqimin e institucionit fetar.

Njoftimi për aktivitetin e planifikuar të Peziqit ishte publikuar në rrjetet sociale nga xhemati i një xhamie në Dobrushë.

Edhe Komuna e Pejës i tha REL-it se nuk kishte asnjë rol në organizimin e aktivitetit për të cilin Peziq kishte udhëtuar drejt Kosovës. Në materialet promovuese thuhej se ngjarja zhvillohej në kuadër të “Ditëve të Diasporës”.

Zëdhënësi i Komunës së Pejës, Valmir Deqani, deklaroi se institucioni komunal nuk kishte qenë në dijeni dhe nuk ishte përfshirë si organizator i eventit apo ngjarjes. Sipas tij, organizimi ishte bërë nga vetë komuniteti boshnjak në Vitomiricë.

Pak para fillimit të aktivitetit në Vitomiricë, të enjten, Peziq u shoqërua në stacionin policor për një intervistim informues.

Këtë e kishte konfirmuar për REL-in Rexho Kojiq, përfaqësues i organizatës joqeveritare nga Kosova “Vullnetarët e Rinj”, e cila kishte organizuar aktivitetin.

Kojiq kishte treguar se Peziq ishte dërguar në një stacion policor në Prishtinë. Ai kishte shtuar se predikuesi kishte hyrë në mënyrë të rregullt në Kosovë përmes pikëkalimit kufitar në Kullë, duke përdorur dokumente të Bosnje e Hercegovinës.

Sipas Kojiqit, Policia kishte njoftuar se Peziq do të qëndronte gjashtë orë për verifikimin e identitetit dhe se nuk ishte i nevojshëm angazhimi i një avokati.

Ai kishte thënë se Peziq ishte pyetur gjithashtu nëse kishte marrë leje nga Bashkësia Islame e Kosovës për zhvillimin e aktivitetit.

Kojiq kishte argumentuar se Peziq nuk shërben si hoxhë në ndonjë xhami dhe, për këtë arsye, nuk i nevojitej një leje e tillë, pasi aktiviteti kishte të bënte me promovimin e një libri.

Në këtë ngjarje pritej të merrte pjesë edhe predikuesi islamik Mithad Qeman. Sipas Kojiqit, edhe ai ishte shoqëruar nga Policia, por ishte lënë i lirë menjëherë.

Peziq dhe Qeman kishin parashikuar që fillimisht të promovonin librin në Vitomiricë dhe më pas të organizonin një aktivitet në Dobrushë të Istogut. Një tjetër aktivitet ishte planifikuar për të premten në Reçan të Prizrenit.

Kojiq kishte deklaruar për REL-in se, sipas vlerësimit të tij, Peziq nuk përbënte rrezik për sigurinë e Kosovës. Ai kishte shtuar se organizata nuk do ta kishte mbështetur një tubim të tillë nëse do të kishte ekzistuar çfarëdo indikacioni për një rrezik të tillë.


Shtuar 14.08.2026 19:27

matbetJojobetGrandpashabetGrandpashabetGrandpashabetHoliganbetHoliganbetJojobetjojobetgrandpashabetmeritbetcasibommatbetsultanbeyli escortiptvGrandpashabetAnkara escortAnkara escortcasibommarsbahiscasibombetgray girişHoliganbetGrandpashabetJojobetJojobetholiganbetJojobet Girişholiganbetcasibom