Reshjet me intensitet rekord në prefekturën Chiba, në lindje të Japonisë dhe pranë Tokios, kanë shkaktuar vdekjen e të paktën gjashtë personave, ndërsa pesë të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Të lidhura
None found
Autoritetet e kanë cilësuar gjendjen si “të paprecedentë”, pasi moti i rënduar ka sjellë përmbytje, rrëshqitje dherash dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike. Mbi 20 mijë familje kanë mbetur pa energji, ndërsa problemet në transport detyruan rreth 7 mijë udhëtarë të kalonin natën të bllokuar në aeroportin ndërkombëtar të Naritës, sipas BBC.
Niveli maksimal i alarmit për emergjencat u aktivizua të enjten nga autoritetet japoneze, ndërsa të premten në mëngjes ai u reduktua në nivelin katër. Pavarësisht kësaj, mbeten në fuqi paralajmërimet për përmbytje dhe rrëshqitje të dheut.
Brenda 24 orëve, në disa pjesë të Chibas janë matur mbi 360 milimetra reshje. Sasia e madhe e ujit ka përmbytur rrugë dhe linja hekurudhore.
Një grua që ndodhej në automjetin e saj humbi jetën pasi makina u mor nga ujërat në një rrugë të përmbytur. Dy viktima të tjera u rrëzuan në rrugë dhe ndërruan jetë më vonë.
Toshihito Kumagai, guvernatori i Chibas, deklaroi se kjo është një situatë jashtëzakonisht e pazakontë, edhe në raport me kushtet e motit që përjeton Japonia.
Ai tha se, ndonëse ishte përballur me shumë fatkeqësi më parë, nuk kishte përjetuar asnjëherë një gjendje të tillë.
Pasojat e reshjeve janë ndier gjerësisht edhe në transport. Disa linja trenash mbeten jashtë funksionit, kurse një numër autostradash kryesore janë mbyllur.
Në aeroportin e Naritës, ndërprerjet e transportit lanë të bllokuar gjatë natës rreth 7 mijë pasagjerë. Punonjësit e aeroportit u siguruan atyre ushqime, ujë dhe batanije.
Sipas njoftimit të aeroportit, fluturimet e planifikuara për të premten pritet të zhvillohen normalisht. Megjithatë, Japan Airlines ka bërë të ditur se mund të ketë vonesa.
Situata ka detyruar gjithashtu mijëra njerëz të strehohen përkohësisht. Qindra banorë të evakuuar e kaluan natën në disa godina qeveritare në Chiba.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë bëri të ditur se reshjet e pazakonta u krijuan nga takimi i ajrit të ngrohtë dhe të lagësht me masa ajri të ftohtë mbi zonën lindore të vendit. Ky ndërveprim solli kushte atmosferike tejet të paqëndrueshme.
Parashikimet tregojnë se shirat e dendur do të vazhdojnë deri vonë të premten. Ndërkohë, ekipet e shpëtimit dhe strukturat e emergjencave po vijojnë ndërhyrjet në zonat që kanë pësuar dëmet më të mëdha.
