Në aktivitetet kushtuar 12 Gushtit – Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, vuri në pah rëndësinë që kanë shëndeti mendor dhe përkrahja psikosociale për fëmijët dhe të rinjtë.
Të lidhura
None found
Përmes një postimi në Facebook, Kurti njoftoi se aktivitetet filluan para Ministrisë së Sportit dhe Rinisë me programin “Zëri yt, e ardhmja jonë”. Më pas, ato u zhvendosën në Zyrën e Kryeministrit, ku u prezantua raporti “Hartëzimi i shërbimeve të shëndetit mendor dhe mbështetjes psikosociale për fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë”.
Sipas tij, kujdesi për shëndetin mendor nuk mund të mbetet detyrë vetëm e një ministrie ose e një sektori të caktuar, pasi kjo përgjegjësi i përket shoqërisë në tërësi, pa dallim.
Kurti deklaroi se krijimi i një kapitali të fuqishëm njerëzor është i pamundur pa investime në mirëqenien emocionale të fëmijëve.
Ai nënvizoi gjithashtu se të rinjve nuk mund t’u kërkohet të mësojnë, të krijojnë, të punojnë dhe të japin kontribut në ndërtimin e së ardhmes, nëse shoqëria nuk u garanton përkrahjen dhe kushtet e domosdoshme.
Kryeministri në detyrë vlerësoi se të rejat dhe të rinjtë nuk përfaqësojnë vetëm të ardhmen e Republikës, por përbëjnë një pjesë me rëndësi edhe të së tashmes.
Kurti shkroi se qeverisja e tij, e cila e vendos rininë në qendër, udhëhiqet nga mbështetja, qasja e barabartë dhe arsimi cilësor, si dhe nga sigurimi i hapësirave dhe aktiviteteve kulturore e sportive.
