Lee Dixon ka hedhur idenë e një marrëveshjeje shkëmbimi mes Marcus Rashfordit të Manchester Unitedit dhe Myles Lewis-Skellyt të Arsenalit, duke e cilësuar atë si një zgjidhje që mund t’u shërbente të dyja skuadrave.
Të lidhura
None found
Sipas ish-mbrojtësit të Arsenalit, Mikel Arteta do të ishte trajneri i duhur për ta rikthyer Rashfordin në nivelin e tij më të mirë, veçanërisht në rolin e anësorit të majtë.
Dixon mendon se ky transferim do të ishte i dobishëm për të dy futbollistët. Ai beson se aftësia e Artetas për të menaxhuar dhe zhvilluar lojtarët mund të luajë një rol kyç në ringritjen e sulmuesit anglez.
“A do t’i shkëmbeja ata, Myles Lewis-Skellyn dhe Marcus Rashfordin? Sinqerisht, ndoshta po”, deklaroi Dixon për BestBettingSites.
“Kjo nuk lidhet aspak me Myles Lewis-Skellyn. Çështja është t’i krijohet mundësia që të largohet dhe ta zhvillojë lojën e tij në një ambient tjetër”.
“Për Marcus Rashfordin, bëhet fjalë për një lojtar që ka nevojë për mbështetje, ndërsa Arteta do të ishte shumë i përshtatshëm për këtë rol”.
“Nëse i ofron përkrahje dhe lirinë për të luajtur në krahun e majtë, atëherë po, do të doja ta shihja me fanellën e Arsenalit”.
“Kam dyshime nëse ai mund të jetë vazhdimisht një futbollist i nivelit më të lartë, por duke marrë parasysh ekipin që Arsenali ka sot, Rashfordi do të ishte një shtesë e mirë”, u shpreh ai.
Rashfordi ka mbetur për një kohë të gjatë jashtë planeve dhe formacionit të Manchester Unitedit.
Paraqitja e tij e fundit me “Djajtë e Kuq” daton më 12 dhjetor 2024, kur Unitedi u përball me Viktoria Plzen në Europa League.
Pak më herët, gjatë të njëjtit muaj, sulmuesi realizoi dy gola ndaj Evertonit. Me atë paraqitje, ai e çoi në 138 numrin e golave të shënuar për Manchester Unitedin.
