Në emisionin e fundit të podcastit “Arena e Yjeve”, i ftuar ishte Shaban Baholli, drejtor i përgjithshëm i klubit “2 Korriku”. Ai foli për përvojën e tij më shumë se 50-vjeçare në këtë klub, që nga viti 1971, kur nisi të luante futboll, deri te detyra drejtuese që ushtron aktualisht. Episodi u realizua me mbështetjen e sponsorit zyrtar Exfis.
Të lidhura
None found
Gjatë bisedës, Baholli tregoi edhe se si u hodhën themelet për krijimin dhe organizimin e shkollës së futbollit të “2 Korrikut”.
Ai tha se, në momentin kur klubi vendosi ta hapte shkollën, drejtuesit iu drejtuan Bylbyl Sokolit për të marrë përsipër organizimin e saj.
“Kur vendosëm ta hapnim shkollën, e ftuam Bylbyl Sokolin. Si drejtues, synonim të gjenim një trajner të aftë, i cili do ta strukturonte siç duhej këtë shkollë”, rrëfeu Baholli.
Sipas tij, Sokoli kishte vetëm një kërkesë konkrete: sigurimin e 20 topave. Edhe pse në fillim drejtuesit nuk e kuptuan nevojën për një numër të tillë, ata e plotësuan kërkesën dhe më pas nisën punën me një organizim të mirëfilltë të shkollës së futbollit.
Baholli theksoi se organizimi kryesor u drejtua nga Bylbyl Sokoli, ndërsa klubi e mbështeti në këtë proces. Ai shtoi se parimet e vendosura në atë kohë, përfshirë disiplinën, vazhdojnë të zbatohen edhe sot.
“Synimi kryesor ka qenë që fëmijët të edukohen me disiplinë dhe kulturë. Ne nuk mund t’ua përcjellim të gjithë kulturën, por mund të kontribuojmë në këtë drejtim”, u shpreh ai.
Episodi i plotë me Shaban Bahollin është i disponueshëm në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube.//





