Bujqit nga Strumica vijuan edhe sot protestën e tyre, duke bllokuar qendrën e qytetit. Ata kërkojnë që speci i kuq të blihet me çmime më të larta dhe shprehen të revoltuar me atë që e konsiderojnë neglizhencë nga Ministria e Bujqësisë dhe kompanitë blerëse.
Të lidhura
None found
Speci i klasës ekstra, i cili eksportohet, aktualisht blihet për 40 denarë kilogrami, ndërsa çmimi për specin që dërgohet në përpunim është 25 denarë. Sipas bujqve, këto tarifa nuk mjaftojnë për të përballuar kostot e prodhimit.
Protestat nisën të enjten dhe fermerët kanë bërë të ditur se do t’i vijojnë bllokadat. Ata u kërkojnë institucioneve ndërhyrje të menjëhershme dhe vendosjen e çmimeve më të larta të blerjes. Me sezonin e grumbullimit ende në fazat e para, bujqit paralajmërojnë se mund të përballen me humbje edhe më të mëdha.
“Është për të ardhur keq dhe është e turpshme që në këto kushte të motit të luftosh. Toka digjet në atë diell, ndërsa ti mundohesh të prodhosh shumë mall, kurse ata duan të ta marrin pa para. Nuk mund të mbijetosh, e jo më të prodhosh ndonjë prodhim tjetër për vitin e ardhshëm”, tha një bujk./TV21/
