Rikthehen vatrat e zjarrit sërish në Krujë. Një vatër e re zjarri është regjistruar sërish në zonën e Krastës së Krujës, këtë herë në pjesën veriore të saj, duke rikthyer shqetësimin për situatën e zjarreve në këtë zonë.
Sipas raportimeve të qytetarëve, zjarri dyshohet se është i qëllimshëm dhe po përparon me shpejtësi, i favorizuar edhe nga era e fortë.
Të lidhura
None found
Situata bëhet më shqetësuese pasi në zonën ku po përparojnë flakët ndodhen depo me lëndë plasëse, të cilat përdoren për furnizimin e guroreve.
Për shkak të rrezikut, helikopteri i ushtrisë është rikthyer në zonë për të ndihmuar në përballimin e situatës. Ndërkohë, forcat zjarrfikëse të Krujës kanë krijuar një perimetër sigurie për të penguar afrimin e flakëve pranë depove.
Situata vijon të mbetet problematike edhe në lagjen Abazaj në Krujë, ku banorët kanë kërkuar ndihmë për përballimin e zjarrit.
Qytetarët deklarojnë se kanë telefonuar për të kërkuar ndërhyrje, por sipas tyre, thirrjet e tyre nuk kanë marrë përgjigje në kohë. Forcat në terren vijojnë përpjekjet për izolimin e vatrave, ndërsa rreziku mbetet i lartë për shkak të erës dhe afërsisë së zjarrit me zonat e rrezikshme.
