Raportimet e disa mediave për një rënie të ndjeshme të rezervave raketore të ushtrisë amerikane kanë shkaktuar reagim të fortë nga administrata e presidentit Donald Trump.
Të lidhura
None found
Prej ditësh, mediat ndërkombëtare kanë bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara po përballen me pakësim të raketave mbrojtëse dhe të sistemeve me rreze të gjatë veprimi. Këto publikime vijnë në një moment kur Trump herë paralajmëron sulme të ashpra ndaj Iranit, herë flet për bisedime me përfaqësuesit e Teheranit dhe herë shprehet se një marrëveshje me Iranin mund të arrihet së shpejti.
Sipas analizave të publikuara, përdorimi i madh i raketave gjatë muajve të fundit ngre pikëpyetje jo vetëm për mundësinë që SHBA-ja të ndërmarrë sulme të tjera të gjera ndaj Iranit, por edhe për ekuilibrat strategjikë në rajonin Azi-Paqësor. Ndikimi i rënies së rezervave ka nisur të ndihet ndërkohë edhe në Ukrainë.
Administrata amerikane i ka mohuar këto pretendime, duke deklaruar se ushtria e Shteteve të Bashkuara ka sasi të mjaftueshme armësh dhe municionesh për çdo skenar të mundshëm ushtarak.
Debati është mbështetur kryesisht në tri raportime dhe analiza. Në fund të korrikut, instituti amerikan i studimeve strategjike “Center for Strategic and International Studies” (CSIS) publikoi një vlerësim sipas të cilit SHBA-ja kishte ende rreth 830 raketa mbrojtëse “Patriot”. Para luftës me Iranin, kjo sasi llogaritej në rreth 2.300.
Edhe raketat mbrojtëse THAAD, të afta të asgjësojnë raketa me rreze të shkurtër dhe të mesme, dyshohet se kanë pësuar rënie të konsiderueshme. Numri i tyre, sipas të dhënave të cituara, ka zbritur nga 452 në 278 që prej nisjes së luftës. CSIS e zgjeroi me këtë raport analizën e publikuar në prill, e cila trajtonte ndikimin e luftës me Iranin në përballjet e ardhshme ushtarake.
Në fillim të kësaj jave, CNN dhe agjencia Reuters raportuan se, bazuar në vlerësime të brendshme të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, rezervat e raketave sulmuese Army Tactical Missile Systems (ATACMS) dhe Precision Strike Missiles (PrSM) janë përdorur në përmasa të mëdha. Reuters, duke iu referuar dy burimeve të paidentifikuara brenda administratës, shkroi se “pothuajse të gjitha” këto armë janë konsumuar.
Raketat ATACMS kanë rreze veprimi deri në 300 kilometra. Ato përdoren nga Shtetet e Bashkuara kundër Iranit, ndërsa Ukraina i përdor në luftën e saj mbrojtëse ndaj agresionit rus. Në të ardhmen, ATACMS pritet të zëvendësohen nga raketat PrSM, të cilat kanë rreze më të madhe veprimi.
Reuters raportoi gjithashtu se, që nga fillimi i luftës me Iranin, ushtria amerikane ka shpenzuar rreth gjysmën e rezervave të raketave “Tomahawk”. Ato lëshohen nga anije luftarake dhe nëndetëse, ndërsa për përdorimin e shtuar të tyre kishte raportuar më herët edhe CNN.
Një tjetër shqetësim lidhet me kohën që kërkohet për rimbushjen e rezervave. Sipas CNN-it, aktualisht Shtetet e Bashkuara marrin çdo muaj rreth 15 raketa të reja “Tomahawk” dhe 20 raketa të reja “Patriot”.
Për shkak të procesit të gjatë të prodhimit, rikthimi i rezervave në nivelet e mëparshme mund të zgjasë deri në dy vjet. Ndërkohë, raketat PrSM (Precision Strike Missile) mund të prodhohen dhe të zëvendësohen më shpejt. Sipas CSIS-it, ato mund të arrijnë përsëri në nivelet e para luftës në mesin e vitit të ardhshëm.
Qeveria amerikane i hodhi poshtë që në fillim të javës raportet për mungesë municionesh. Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara kanë “shumë më tepër municione se kushdo tjetër në botë” dhe “shumë më tepër sesa na nevojiten”. Ai deklaroi gjithashtu se kompanitë e industrisë së mbrojtjes po prodhojnë municione “më shumë se kurrë më parë”.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, u shpreh se ushtria amerikane ka “gjithçka që i nevojitet” për të zbatuar vendimet e presidentit.
Ministri i Mbrojtjes Pete Hegseth përdori një gjuhë edhe më të ashpër ndaj raportimeve. Të martën, ai sulmoi drejtpërdrejt CNN-in për një grafik që televizioni kishte publikuar lidhur me konsumin e lartë të raketave. Hegseth, të cilin administrata amerikane e quan edhe “ministri i luftës”, shkroi në platformën X: “Kjo NUK ËSHTË I VËRTETË, @CNN. Duhet t’ju vijë turp.” Mediat që kishin raportuar për këtë çështje ai i cilësoi si “media të neveritshme lajmesh të rreme”.
Raportimet kanë nxitur shqetësimin se niveli i ulët i rezervave mund të dobësojë aftësinë e Shteteve të Bashkuara për t’u përballur në të ardhmen me Rusinë, Kinën ose Korenë e Veriut. /DW
