Ish-sulmuesi i Ligës Premier, Charlie Austin, ka ngritur shqetësime lidhur me një transferim të mundshëm të Vinicius Junior te Arsenali. Sipas tij, braziliani do të ishte një afrim i jashtëzakonshëm për skuadrën londineze, por paga e tij shumë e lartë mund të prishë ekuilibrin financiar dhe strukturën e pagave te “Topçinjtë”.
Të lidhura
None found
Arsenali po punon për “Operacionin Vinicius”, me synimin për të realizuar transferimin më të madh në historinë e klubit. Drejtuesit anglezë janë të gatshëm të ndërmarrin çdo hap për ta bindur anësorin e Real Madridit që të kalojë në “Emirates”.
Bisedimet mes Viniciusit, përfaqësuesve të tij dhe drejtuesve të Real Madridit pritet të zhvillohen këtë javë. Rezultati i tyre do të ndikojë në vendimin e brazilianit për të rinovuar apo jo kontratën me klubin nga “Santiago Bernabeu”, ndonëse rinovimi mbetet alternativa e tij e preferuar.
Për të bërë të mundur transferimin, Arsenali është përgatitur të ndryshojë hierarkinë ekzistuese të pagave. Telegraph raporton se klubi mund t’i ofrojë Viniciusit një pagë bazë mbi 464 mijë euro në javë, ndërsa bonuset dhe të ardhurat nga të drejtat e imazhit do ta rrisnin më tej shumën totale.
Duke folur për Sky Sports Neës, Charlie Austin vuri në dyshim pasojat që një marrëveshje e tillë do të sillte për ekipin e drejtuar nga Mikel Arteta. Ai theksoi se diferenca e madhe mes pagës së Viniciusit dhe asaj të lojtarëve të tjerë mund të krijojë paqëndrueshmëri brenda klubit.
“Mendoj se kjo mund ta prishë vërtet strukturën e Arsenalit. Nuk besoj se do të përputhej me mënyrën apo identitetin që klubi ka ndërtuar gjatë katër, pesë apo gjashtë viteve të fundit”.
“Dikur të gjithë e kritikonim Arsenalin, por duhet parë rruga që ka ndjekur për të arritur deri këtu. Sjellja e një lojtari të tillë do ta dëmtonte strukturën, pasi ai do të përfitonte pothuajse dy herë e gjysmë më shumë se Declan Rice”.
“Futbollistët e kuptojnë se ai nuk do të transferohet me kosto të ulët. Ata mund të thonë: ‘Është Vinicius Junior, në rregull’, por më pas do të pyesin veten: ‘Edhe unë dua të paguhem në atë nivel’”.
“Nëse Viniciusi shkon te Arsenali, transferimi do të frikësonte pjesën më të madhe të Ligës Premier. Megjithatë, mendoj se për klubin kjo mund të sjellë më shumë dëm sesa përfitim”, përfundoi Austin.//
