Avtar Singh kaloi më shumë se 60 vjet pa e ditur se çfarë fati kishte pësuar nëna e tij biologjike.
Të lidhura
None found
Në skajin tjetër të globit, Nicci Dhamu kishte vite që hetonte zhdukjen e vëllait të saj më të madh, të cilin e ëma e kishte humbur që kur ai ishte i vogël. Rrëfimi i tyre mori një drejtim befasues me ndihmën e ChatGPT.
I lindur në Indi, Avtari u rrit nga gjyshërit dhe në moshën nëntëvjeçare u transferua në Kanada për të jetuar me të atin. Në atë kohë, ai besonte se personi që e mirëpriti ishte nëna e vërtetë.
Shumë kohë më pas, zbuloi se ajo ishte njerka dhe se e ëma biologjike quhej Savinder, por asnjëherë nuk arriti të gjente vendndodhjen e saj. Për dhjetëra vjet, ai shqyrtoi internetin, dokumentet arkivore dhe u drejtua nga mediat, por pa asnjë rezultat.
Në maj të këtij viti, gjatë një udhëtimi në Francë, vendosi t’i besonte ChatGPT-së.
Sipas tij, ishte momenti kur kuptoi se kishte shteruar çdo mundësi dhe donte t’i jepte një shans edhe inteligjencës artificiale, siç raporton The Guardian.
Duke u mbështetur në të dhënat e pakta që zotëronte për të ëmën, ChatGPT i rekomandoi një shkrim dedikuar Savinder Kaur Nagit, të hartuar nga Nicci Dhamu në nderim të nënës së ndjerë në vitin 2024.
Avtari nisi një mesazh autores, pa e ditur me siguri nëse kishte rënë në gjurmët e duhura.
Vetëm pak orë më vonë, një bisedë telefonike u bë shkas për një kthesë vendimtare në jetët e të dyve.
Ai e pyeti nëse nëna kishte pasur fëmijë, dhe Nicci iu përgjigj se ajo kishte një djalë.
Më pas, ajo e thirri me nofkën “Titu”, emrin që e përdornin vetëm të afërmit e tij.
Avtari konfirmoi se ishte pikërisht ai dhe shtoi se askush nuk e kishte quajtur më kështu që nga fëmijëria.
Pas disa ditësh, ai udhëtoi drejt Londrës, ku u takua për herë të parë me motrën, ungjin dhe gjithë familjen nga ana e së ëmës.
Së bashku, ata rindërtuan copëzat e jetës së Savinderit, e cila ishte detyruar të ndahej nga i biri pas një martese të dështuar dhe nuk e kishte harruar kurrë atë.
Megjithëse bashkimi u bë realitet në sajë të ChatGPT, Avtari ruan një qëndrim të matur për aftësitë e inteligjencës artificiale.
Ai theksoi se, për momentin, AI funksionon si një motor kërkimi i sofistikuar dhe se thjesht gjeti lidhjen më të përshtatshme mes informacioneve që i dha, pa pasur ndonjë inteligjencë të vërtetë.
Për Nicci-n, megjithatë, përmbyllja ka një ngarkesë të fortë emocionale.
Ajo u shpreh se askush nuk do ta imagjinonte që ChatGPT do të çonte në një artikull, ai artikull në një email dhe emaili në gjithë këtë histori, duke theksuar se edhe inteligjenca artificiale mund të ketë një dimension njerëzor, siç tregoi edhe ky rast.
