Trupa e shfaqjes “Pallati 176”, një prej produksioneve më të njohura të teatrit shqiptar, u mblodh sërish në ekran pas 40 vitesh, këtë herë në emisionin “Live me Luizin” në Top Channel.
Të lidhura
None found
Eva Aliko, Ilir Bezhani, Adelina Balashi dhe Rajmonda Bulku sollën kujtime nga koha kur interpretonin së bashku veprën që u shfaq për vite në skenat shqiptare.
Gjatë bisedës, Rajmonda Bulku shpjegoi edhe arsyen përse nuk ishte e pranishme në xhirimin e shfaqjes, ndonëse në trupën origjinale kishte interpretuar rolin e Irenës.
Pjesë nga biseda:
Rajmonda Bulku: Unë nuk jam larguar asnjëherë. Më pas kemi realizuar 500-600 shfaqje, por trupat e teatrit zakonisht funksiononin me dublantë, sepse aktorët angazhoheshin edhe në filmat e Kinostudios. Në këtë mënyrë ruhej kalendari i shfaqjeve dhe ato mund të vazhdonin. Në atë kohë shfaqjet nuk kufizoheshin në 15 prezantime si sot; vazhdonin për aq kohë sa kishin sukses. Në teatër kishte shfaqje çdo ditë të javës, njerëzit prisnin për të blerë bileta dhe salla nuk mbetej asnjëherë bosh.
Luizi: Përse nuk ishe pjesë e xhirimit të shfaqjes?
Rajmonda Bulku: Për momentin nuk di çfarë të them, sepse duket se ka ndodhur një lapsus.
Eva Aliko: Aktorët alternoheshin. Ishin dy grupe dhe mund të ndodhte që njëri prej tyre të ishte duke xhiruar film. Monda ishte pjesë e grupit të parë.
Luizi: Domethënë, mungesa e Mondës në xhirimin e “Pallatit 176” ishte thjesht rastësi?
Rajmonda Bulku: Grupi i parë ishte ai që regjistronte. Ky ishte një avantazh që kishte ai grup. Në rastin tim, gjatë regjistrimit mund të jem tërhequr për ndonjë xhirim filmi, por nuk e kujtoj saktësisht, pasi kanë kaluar shumë vite. Ajo që ka rëndësi është se nuk e mendova sa duhet situatën. Pyeta regjisorët nëse mund ta bëja zëvendësimin dhe ata u treguan shumë të butë me mua. Më pas, personi të cilit i kërkova falje dhe për të cilin u pendova për atë që bëra, ishte vetëm Iliri. Ai ishte i vetmi që më tha: “Më fal, kemi luajtur bashkë, e kemi ndërtuar rolin bashkë dhe edhe komoditeti është i përbashkët”. Në fakt, kështu është, sepse krijohet një përshtatje mes partnerëve. Nuk mund të largohesh pikërisht në momentin kur do të bëhet xhirimi, pa e diskutuar me partnerin. Regjisorët nuk ma kishin shpjeguar këtë gjë në mënyrën që ma tha Iliri.
Ilir Bezhani: Ka rregulla të tilla, sepse ne jemi partnerë dhe ti nuk mund të largohesh pa më pyetur. Nëse do të vinte një aktore tjetër, nuk do të kishte problem. Por Monda humbi një rol për të cilin është penduar. Madje qau në një moment.
Rajmonda Bulku: Regjisorët e dytë nuk duhej ta kishin pranuar që në fillim. Ajo që humba ishte një kujtim shumë i bukur, jo vetëm me Ilirin, por me të gjithë.





