Pasojat e krizës klimatike po bëhen gjithnjë e më të kushtueshme për Evropën.
Të lidhura
None found
Një analizë e Financial Times tregon se valët e të nxehtit dhe zjarret pyjore të regjistruara gjatë këtij viti kanë krijuar në kontinent një faturë prej më shumë se 3 miliardë eurosh, duke dëshmuar ndikimin e drejtpërdrejtë të dukurive ekstreme mbi ekonomi.
Afërsisht 5 milionë hektarë tokë janë përfshirë nga flakët që prej nisjes së sezonit të zjarreve. Në Francë, Spanjë, Portugali, Greqi dhe Rumani, pesë shtetet më të goditura të Eurozonës, shpenzimet për ripyllëzimin dhe rikuperimin e territoreve të djegura përllogariten në 3.1 miliardë euro.
Kjo shumë është më e lartë se mesatarja vjetore prej 2.5 miliardë eurosh, e vlerësuar nga Komisioni Evropian për të gjithë Bashkimin Evropian.
Përllogaritja nuk mbulon dëmet e shkaktuara në shtëpi, biznese, kultura bujqësore dhe sektorin e turizmit. Jashtë saj mbeten edhe pasojat financiare afatgjata, përfshirë rritjen e primeve të sigurimeve dhe fondet shtesë të nevojshme për pajisjet kundër zjarreve.
Ekonomia evropiane po përballet njëkohësisht edhe me efektet e mungesës së tejzgjatur të ujit. Nivelet e ulëta të lumenjve Rajn dhe Danub kanë vështirësuar transportin e mallrave dhe veprimtarinë industriale. Në Hungari dhe Rumani, disa centrale bërthamore kanë kufizuar prodhimin, pasi nuk kanë pasur ujë të mjaftueshëm për ftohjen e reaktorëve.
Në zonën franceze të Gironde, kompanitë e mëdha industriale Safran, Dassault Aviation dhe ArianeGroup u detyruan të ndalonin përkohësisht proceset e prodhimit dhe të boshatisnin objektet për shkak të zjarreve.
Flakët dëmtuan po ashtu turizmin dhe kultivimin e butakëve në pellgun e Arcachon, ndërsa mijëra biznese u prekën. Rreth 20 mijë sipërmarrje pezulluan aktivitetin e tyre.
Në Spanjë, zjarret kanë mbërritur deri në një distancë prej 50 kilometrash nga Madridi, duke djegur banesa, automjete dhe zona të gjera bujqësore. Shoqata e fermerëve të vegjël raporton se deri tani janë shkrumbuar rreth 185 mijë hektarë tokë, pjesa më e madhe e së cilës përbëhej nga kullota.
