Protesta kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij ka hyrë në ditën e 64-të përpara godinës së Kryeministrisë, ku fjalën po e marrin edhe shumë shqiptarë të ardhur nga diaspora për t’iu bashkuar tubimit.
Mes tyre ishte një emigrant që jeton në Itali, i cili shprehu zemërimin ndaj qeverisë dhe iu kundërpërgjigj me tone të ashpra deklaratave të mazhorancës. Ai ngriti akuza të forta ndaj ministrit Taulant Balla dhe kërkoi të dinte se çfarë roli po luan Presidenti i Republikës në situatën ku ndodhet vendi.
Të lidhura
None found
Duke folur përpara Kryeministrisë, emigranti deklaroi se jeton prej 32 vitesh në Itali, por kishte ardhur në protestë sepse ndihet krenar për prejardhjen e tij shqiptare. Duke iu drejtuar Edi Ramës, ai e akuzoi se e ka shitur Shqipërinë dhe se nuk përfaqëson më këtë popull.
Ai kundërshtoi gjithashtu etiketimin si “sorra e laraska”, për të cilin bëri përgjegjës Taulant Ballën. Emigranti e cilësoi ministrin “krimb”, duke thënë se krimbat jetojnë nën tokë, ndërsa sorrat dhe laraskat qëndrojnë sipër dhe e pastrojnë atë. Sipas tij, Balla është ai që e qelb vendin.
Në fund, protestuesi pyeti nëse ky shtet ka President dhe ku ndodhet kreu i shtetit kur nuk mbrohen ligjet dhe Kushtetuta. Ai theksoi se në Shqipëri duhet të luftohet korrupsioni.
