Premtimi për punësimin e 600 specializantëve privatë në sistemin publik shëndetësor po konkretizohet, deklaroi deputetja e VLEN-it, Kaltrina Beqiri, pasi Qeveria mori vendim për angazhimin e 300 mjekëve të rinj në grupin e dytë.
Të lidhura
None found
Sipas Beqirit, 300 specializantët e grupit të parë tashmë janë integruar në shëndetësinë publike. Ndërkohë, procedura për 300 mjekët e tjerë pritet të mbyllet deri në fund të këtij viti.
“Për 300 mjekë të rinj, të cilët specializimin e kanë nisur me shpenzimet e tyre dhe tani do të bëhen pjesë e sistemit publik shëndetësor, ky është një hap i rëndësishëm”, deklaroi Beqiri në një konferencë për media.
Ajo vlerësoi se procesi do t’u shërbejë edhe spitaleve, të cilat prej vitesh përballen me mungesë të stafit specialistik. Në këtë kuadër, përparësi do të kenë spitalet e përgjithshme dhe klinike jashtë Shkupit, si edhe degët ku mungesa e mjekëve është më e madhe.
Deputetja e VLEN-it nënvizoi se kjo masë ka rëndësi të veçantë për banorët e Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Strugës dhe komunave të tjera, të cilët shpesh janë të detyruar të shkojnë në Shkup për të marrë shërbime specialistike.
Beqiri shtoi se, paralelisht me projektet infrastrukturore në shëndetësi, përfshirë investimin prej 74 milionë eurosh në Spitalin Klinik të Tetovës dhe hapjen e rrugës për ndërtimin e spitalit të ri në Kërçovë, mbetet thelbësor forcimi i kapaciteteve njerëzore.
“Spitalet nuk kanë nevojë vetëm për ndërtesa dhe pajisje, por kanë nevojë për mjekë. Ne premtuam punësimin e 600 specializantëve dhe po e përmbushim këtë zotim”, tha Beqiri.
