Reagimi i ministrit të Vetëqeverisjes Lokale në Maqedoninë e Veriut, Ivan Stoillkoviç, ndaj dëmtimit të hyrjes së shoqatës kulturore “Sërpski Vez” në Kumanovë ka nxitur kritika. Atij iu kërkua të shpjegonte përse nuk kishte mbajtur të njëjtin qëndrim edhe në rastet e mbishkrimeve dhe thirrjeve kundër shqiptarëve.
Të lidhura
None found
Stoillkoviç ishte mes zyrtarëve të parë që shprehu shqetësim për shkarravitjet e bëra në objektin e shoqatës kulturore serbe në Kumanovë. Megjithatë, kur foli për mediat, ai nuk dha përgjigje të drejtpërdrejtë për qëndrimet e tij ndaj rasteve të tjera të gjuhës së urrejtjes, ku përfshihen edhe thirrjet kundër shqiptarëve në hapësira publike dhe ambiente sportive.
Çështjen e mungesës së reagimeve të mëhershme për incidente të tilla ia ngriti ministrit gazetari i Alsat, Zekirija Haxhiu.
Stoillkoviç iu përgjigj: “Edhe njëherë ju lus, drejtohuni në ministri, drejtohuni tek unë. Për çdo gjë që ju intereson do të merrni përgjigje”.
Kur u pyet konkretisht nëse kishte reaguar ndaj incidenteve ku ishin dëgjuar thirrje kundër shqiptarëve, ministri deklaroi: “Gjithmonë kam reaguar. Mos ta prishim një ngjarje të tillë me tema dytësore.”
Në të kaluarën, Stoillkoviç ka ushtruar edhe detyrën e ministrit për Marrëdhënie mes Bashkësive. Sipas kritikëve, gjatë asaj periudhe ai nuk është prononcuar publikisht për shumë raste të gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve, sidomos për ato të raportuara në stadiume dhe vende publike.
Në Maqedoninë e Veriut janë evidentuar disa incidente me mbishkrime dhe thirrje fyese të drejtuara ndaj shqiptarëve, mes tyre edhe slogane me përmbajtje ekstremiste. Institucionet kanë deklaruar se do të marrin masa, por kritikët pretendojnë se, në shumë prej rasteve, autorët nuk janë përballur me ndëshkime konkrete.
Polemikat e krijuara pas deklaratave të Stoillkoviçit kanë sjellë sërish në vëmendje debatin mbi reagimin selektiv ndaj gjuhës së urrejtjes, si dhe detyrimin e institucioneve për ta trajtuar në mënyrë të barabartë çdo shfaqje diskriminimi.
