PTHP: Banori i Velesit u premtonte njerëzve “vaksina kubaneze” kundër kancerit për përfitime financiare

Prokuroria Themelore Publike e Velesit ka siguruar urdhër për bastisje në disa lokacione, në kuadër të procedurës kundër një personi të dyshuar për “Mashtrim”, sipas nenit 247, dhe “Ilaç i rallë”, sipas nenit 209 të Kodit Penal, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Autoritetet po mbledhin prova lidhur me dyshimet se personi, me synimin për të përfituar në mënyrë të paligjshme, ka mashtruar disa njerëz duke u ofruar atyre gjoja “vaksina kubaneze” kundër kancerit.

Të lidhura

None found

Në bastisjen e kryer në vendin e punës së të dyshuarit, në Veles, u gjetën materiale që do t’i nënshtrohen ekspertizës. Po ashtu, u morën pajisje elektronike dhe vijojnë veprime të tjera verifikuese.

Prokurori publik përgjegjës po merr në pyetje personat e dëmtuar dhe individë të tjerë që mund të disponojnë informacione me rëndësi për hetimin e plotë të rastit.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore Publike e Velesit i ka propozuar gjykatës vendosjen e masave paraprake: sekuestrimin e dokumentit të udhëtimit dhe detyrimin e të dyshuarit për t’u paraqitur në Gjykatë.

I dyshuari ndodhet aktualisht i shtruar në një institucion mjekësor, ku i është dorëzuar vendimi për caktimin e masave. Pas marrjes së informacioneve dhe gjetjeve të tjera, Prokuroria Publike dhe Ministria e Brendshme po vazhdojnë punën për sigurimin e provave./Telegrafi/


Shtuar më 23.10.2026 16:37