Ferrari “fluturon” në bypass-in e Fierit me 231 km/h, shoferi me patentë të falsifikuar (VIDEO)

Policia Rrugore ka ndaluar një 50-vjeçar nga Polonia i cili u kap me patentë të falsifikuar dhe me shpejtësi gati trefish mbi limitin e lejuar, në ByPass-in e Fierit.

Nga verifikimet e kryera në bashkëpunim me Interpolin ka rezultuar se ky automjet është i shpallur në kërkim në Gjermani, për mungesë siguracioni.

Për këtë shtetas u vendos edhe masa administrative 80.000 lekë të rinj, për tejkalim të normave të shpejtësisë dhe mungesë siguracioni.

Njoftimi i policisë:

Fier/Policia Rrugore kontrolle intensive me radar në Bypass-in e Fierit, për parandalimin e aksidenteve rrugore.

Me patentë të falsifikuar dhe me shpejtësi gati trefish mbi limitin e lejuar, Policia e Fierit vë në pranga  50-vjeçarin nga Polonia.

Në Bypass-in e Fierit, shërbimet e Policisë Rrugore kanë konstatuar nëpërmjet radarit, automjetin tip “Ferrari” me targa gjermane, që drejtohej me shpejtësi 231 km/h, nga shtetasi T. S., 50 vjeç, nga Polonia.

Nga verifikimet e kryera në bashkëpunim me Interpolin ka rezultuar se ky automjet është i shpallur në kërkim në Gjermani, për mungesë siguracioni. Gjithashtu, leja e drejtimit që ky shtetas i paraqiti punonjësve të Policisë, ishte e falsifikuar.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit T. S., për veprat penale “Përdorimi i dokumenteve të falsifikuara” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”.

Për këtë shtetas u vendos edhe masa administrative 80.000 lekë të rinj, për tejkalim të normave të shpejtësisë dhe mungesë siguracioni.

Automjeti tip “Ferrari” u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve, vendas dhe të huaj, që të respektojnë sinjalistikën rrugore, pasi në të gjitha rrugë e vendit ka radarë dhe prezencë të Policisë Rrugore, të pajisur edhe me dronë, dragera, kamera e aparate fotografike.


Shtuar 28.07.2021 11:14

Tags: ,