Një sulm me armë zjarri gjatë festivalit të njohur ushqimor Bite of Seattle, pranë kullës ikonike Space Needle në Seattle të SHBA-së, u mori jetën tre personave dhe la disa të plagosur, mes të cilëve edhe një fëmijë 2 vjeç.
Të lidhura
None found
Sipas policisë, ngjarja ndodhi të dielën në mbrëmje, rreth orës 18:00, kur dy persona dyshohet se hapën zjarr ndaj njëri-tjetrit në mes të turmës së vizitorëve. Të shtënat shkaktuan panik dhe qindra njerëz u larguan me vrap, ndërsa në pamjet e shpërndara në rrjetet sociale shihen persona duke rrëzuar gardhet në përpjekje për të shpëtuar.
Dy persona u konfirmuan të vdekur në vendngjarje. Katër të tjerë, përfshirë një djalë 2-vjeçar, u dërguan në spital, ndërsa më vonë një person tjetër me plagë të shkaktuara nga armë zjarri u paraqit në një spital tjetër. Njëri prej të plagosurve ndërroi jetë si pasojë e plagëve, duke e rritur në tre numrin e viktimave.
Një i dyshuar, i identifikuar vetëm si një “person i ri në moshë”, është arrestuar nga policia. Ndërkohë, autoritetet po vijojnë kërkimet për një person të dytë që dyshohet se ka qenë i përfshirë në shkëmbimin e zjarrit.
Në vendin e ngjarjes u sekuestruan dy armë zjarri. Autoritetet njoftuan se komuniteti nuk përballet më me rrezik, ndërsa shkaku i përplasjes nuk është sqaruar ende dhe hetimet vazhdojnë.

Në operacion u angazhuan efektivë të policisë së Seattle, zjarrfikës, ekipe të emergjencës, si dhe agjentë të FBI-së e të agjencive të tjera federale.
Kryetarja e Bashkisë së Seattle, Katie Wilson, e përshkroi ngjarjen si “një akt të tmerrshëm dhune”. Ajo tha se komuniteti po përpiqet të kuptojë se si një aktivitet kushtuar kulturës dhe argëtimit u shndërrua në një tragjedi me armë zjarri.
Bite of Seattle renditet mes aktiviteteve më të mëdha verore të qytetit dhe mbledh rreth 350 mijë vizitorë gjatë tre ditëve të zhvillimit.
