Mali i Olimpit në Greqi, së bashku me plazhet ku zbarkuan forcat aleate në veri të Francës gjatë Luftës së Dytë Botërore, janë përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore.
Të lidhura
None found
Ky vendim u mor me votë unanime gjatë sesionit të 48-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, të zhvilluar në Busan të Koresë së Jugut. Olimpi u bë kështu një ndër vendet e pakta në botë që klasifikohen si pronë e përzier e Trashëgimisë Botërore, falë vlerave të tij njëkohësisht kulturore dhe natyrore.
Në mitologjinë greke, Mali Olimp njihet dhe nderohet si vendbanimi i 12 perëndive olimpike. Njëherësh, ai renditet mes zonave me biodiversitetin më të pasur në Evropë, me afro 2,000 taksone bimore, dhjetëra specie që nuk ekzistojnë në asnjë vend tjetër të Tokës dhe kafshë të rralla të egra.
Në rastin e Francës, përcaktimi përfshin pesë plazhet e zbarkimit në Normandi, ku më 6 qershor 1944 zbritën mbi 150,000 trupa aleate.
Këto zona luajtën rol vendimtar në çlirimin e Evropës Perëndimore nga pushtimi nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sipas Këshillit Ndërkombëtar për Monumentet dhe Vendet, organi që shqyrton kandidaturat për Komitetin e Trashëgimisë, në to ruhen gjurmë të shumta historike, përfshirë fortifikimet gjermane, terrenet e dëmtuara nga bombardimet, strukturat portuale të ndërtuara nga Aleatët dhe anijet e fundosura. Këshilli e cilësoi zbarkimin si një “ngjarje që perceptohet gjerësisht si ajo që bëri të mundur rikthimin e lirisë dhe paralajmëroi një paqe të qëndrueshme në kontinentin evropian”.
