Gjatë merkatos së verës, mesfushori shqiptar Kristjan Asllani mund t’i japë fund aventurës me Interin, teksa një tjetër formacion i elitës së futbollit italian ka hyrë në skenë për kartonin e tij.
Të lidhura
None found
Bazuar në informacionet që vijnë nga Italia, Sassuolo ka ndërmarrë hapat e parë duke kontaktuar hierarkinë zikaltër për t’u njohur me termat e një kalimi të mundshëm të lojtarit 24-vjeçar, megjithëse një propozim konkret ende nuk është depozituar.
Me ardhjen e trajnerit Cristian Chivu në krye të pankinës “Nerazzurre”, Asllani nuk bën pjesë në vizionin e teknikut për sezonin e ardhshëm, çka e kthen largimin e tij në një skenar mjaft të besueshëm për muajt në vijim.
Përveç klubit emilian, në garë për shërbimet e tij janë futur edhe Cagliari dhe Besiktas, ndërkohë që drejtuesit e Interit do të shqyrtojnë çdo ofertë që bind kërkesat e tyre ekonomike.
Edicionin e fundit futbollistik, Asllani e zhvilloi i ndarë në dy eksperienca huazimi: pjesën e parë e kaloi te Torino, ndërsa në janar zgjodhi Besiktasin në kërkim të minutazhit më të bollshëm.
Një rikthim në Serie A me fanellën e Sassuolos do t’i garantonte atij jo vetëm vazhdimësinë në kampionatin italian, por edhe një peshë më të madhe brenda formacionit.
Nëse akordi finalizohet, Asllani do të ndante dhomat e zhveshjes me gardianin e përfaqësueses së Kosovës, Arijanet Muric, i cili aktualisht mbron portën e Sassuolos.
