Seanca e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ku pritej të shqyrtohej kërkesa e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes dhe njoftimet për tërheqje nga gjyqtarët dhe stafi serb, ka dështuar të mbahej.
Të lidhura
None found
Mosmbajtja erdhi si rezultat i një përplasjeje të hapur mes anëtarëve të KGJK-së dhe kryesuesit Rrustem Thaqi.
Anëtari Bashkim Hyseni këmbënguli që kjo çështje të trajtohej si pika e parë e rendit të ditës, duke kërkuar shpjegime pse trajtimi i dorëheqjeve të përfaqësuesve të komunitetit serb ishte zvarur për katër vjet.
“Duhej të ishte çështja e parë, pasi që nga dorëheqja e tyre këta janë mbajtur në sistem pa baza kushtetuese dhe ljore. KGJK duhej të kishte vepruar më parë. Kjo është jashë çdo afati të arsyshëm. Dorëheqja mund të revokohet sa është e freskët, jo pas katër vjetësh. Krijon destabilitet dhe cenon sigurinë juridike,” deklaroi Hyseni.
Kryesuesi Thaqi u përgjigj se nuk mbante përgjegjësi për këtë vonesë, duke theksuar se ishte emëruar së fundmi në krye të institucionit.
Gjatë seancës u propozua gjithashtu që pika e dytë, “Zgjedhja e Zëvendës Kryesuesit”, të shtyhej për një mbledhje të mëvonshme për shkak të mungesës së anëtares së re Afërdita Bytyçi, e cila është kandidate për këtë post.
Një propozim i ngjashëm u bë dhe për shqyrtimin e mandateve të anëtarëve të komisioneve të përhershme. Anëtari Artan Abazi e kundërshtoi këtë shtyrje, duke e quajtur të panevojshme dhe duke theksuar nevojën për funksionalizimin e këshillit. “Është propozim i panevojshëm. Ky këshill ka mbetur peng pa punuar prej gjashtë muajsh për fajin tonë. Pse sot nuk po bëhet funksionalizimi? Unë propozoj që pika të mos hiqet,” tha Abazi.
Anëtari Ahmet Imami shpjegoi se në takimet e mëparshme ishte propozuar themelimi i komisioneve, por pritej që anëtarët e rinj të bëheshin pjesë. “Unë propozoj që ajo pikë të hiqet për t’i dhënë mundësi dhe asaj të jete pjesë. Pajtohem që jemi vonuar, ato dorëheqje e kanë dhënë efektin e tyre,” u shpreh Imami.
Debati u ashpërsua kur Thaqi i kërkoi Hysenit të mos keqpërdorte pozicionin në prani të publikut. “Nuk mund të më mbash përgjegjës. Ti po kërkon vëmendje dhe nuk është korrekte. Mos ta keqpërdorim pozicionin,” tha ai. Hyseni iu kundërpërgjigj: “Je kryesues dhe e dinë, e duhesh me ditë. Drejtësia duhet t’i shërbejë drejtësisë.”
Thaqi u përgjigj se do të jete i përkushtuar në detyrë, por jo duke i shërbyer vëmendjes ditore. Pavarësisht apelit për respekt, anëtarët filluan ta bojkotojnë mbledhjen, e cila përfundoi pa rezultat.
