Një hetim i gjerë mbi korrupsionin dhe abuzimet në radhët e Policisë së Skocisë ka nxjerrë në dritë dyshimet se një oficer kishte bërë jetë të dyfishtë për më shumë se 14 vjet, duke vepruar si përdhunues serial dhe autor sulmesh seksuale.
Të lidhura
None found
Në qendër të çështjes është konstabli Alan Greer, i cili kreu vetëvrasje në maj, në moshën 47-vjeçare. Ai dyshohet se ka sulmuar të paktën nëntë gra, ndërsa hetuesit paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet, pasi shqyrtimi i materialeve të sekuestruara nga pajisjet e tij elektronike vazhdon.
Gjithçka nisi me kallëzimin e një gruaje në të 40-at. Në fund të vitit 2025, ajo u paraqit në një komisariat në Glasgow dhe raportoi se ishte përdhunuar nga një polic në vitin 2012.
Gruaja deklaroi se atëherë kishte telefonuar policinë për një incident në shtëpinë e saj. Në adresë kishin shkuar dy oficerë, të cilët kishin regjistruar dëshminë dhe më pas ishin larguar. Disa orë më vonë, sipas saj, njëri prej policëve ishte rikthyer i vetëm, e kishte detyruar të kryente marrëdhënie seksuale dhe më pas e kishte përdhunuar.
Denoncimi vuri në lëvizje Njësinë e Çështjeve të Brendshme të Policisë së Skocisë, e cila identifikoi të dyshuarin. Nga verifikimet rezultoi se, pas ngjarjes së vitit 2012, Greer e kishte hapur vazhdimisht dosjen e viktimës në sistemin informativ policor, pa pasur ndonjë arsye zyrtare. Kontrollet ishin kryer madje edhe kur ai ndodhej me leje.
Gjurmët e lëna në sistem u përdorën nga hetuesit për të ngritur çështjen kundër oficerit dhe për të zbuluar dyshime mbi një varg sulmesh të tjera.
Gjatë hetimeve u identifikuan edhe tetë gra të tjera që besohet se ishin sulmuar nga Greer. Pesë prej tyre punonin si punonjëse seksi.
Sipas policisë, përgjatë viteve të karrierës Greer kishte përdorur rregullisht shërbimet e shumë grave. Disa prej sulmeve për të cilat dyshohet përshkruhen si tepër të dhunshme. Autoritetet thanë se, po të ishte gjallë, në disa raste ai mund të hetohej edhe për tentativë vrasjeje.
Nga hetimi doli gjithashtu se Greer kishte fotografuar në fshehtësi dy oficere policie gjatë trajnimit, pa dijeninë dhe pa miratimin e tyre.
Më 24 prill, policia kontrolloi banesën e tij dhe sekuestroi shtatë telefona celularë, së bashku me një laptop. Greer u arrestua si i dyshuar për përdhunimin e raportuar në vitin 2012, u pezullua nga detyra dhe më pas u lirua përkohësisht, ndërkohë që hetimet vazhdonin.
Shqyrtimi i pajisjeve elektronike çoi në zbulimin e mijëra videove dhe fotografive, të cilat, sipas hetuesve, tregojnë shtrirjen e veprimtarisë së tij të dyshuar kriminale. Deri tani është analizuar vetëm një pjesë e këtyre materialeve dhe policia nuk përjashton identifikimin e viktimave të tjera.
Vdekja e Greer gjatë hetimeve
Autoritetet njoftuan familjen e Greer më 5 maj për ecurinë e çështjes dhe vendosën masa mbrojtëse. Të nesërmen, ai u gjet i vdekur pasi kishte kryer vetëvrasje.
Drejtuesit e Policisë së Skocisë thanë se as familjarët dhe as kolegët e tij nuk ishin në dijeni të jetës së dyfishtë që ai dyshohet se kishte zhvilluar.
Zëvendëskomisionerja e Policisë së Skocisë, Lynn Ratcliffe, i përshkroi gjetjet si “vërtet tronditëse”. Sipas saj, Greer kishte keqpërdorur pushtetin dhe besimin që i jepte detyra, duke shfrytëzuar gratë me të cilat binte në kontakt për shkak të punës.
Policia u ka kërkuar të gjitha grave që mendojnë se mund të jenë viktima të Alan Greer të paraqiten pranë autoriteteve. Ajo ka garantuar se çdo dëshmi do të merret seriozisht dhe se personave të prekura do t’u sigurohet mbështetja e nevojshme.
