Mbledhja e parë e organit këshillimor të prefektit nxori në pah nevojat emergjente për mbrojtje sociale në qark. Kryetarët e bashkive të Pogradecit dhe Kolonjës parashtruan kërkesën për ngritjen e qendrave të specializuara për fëmijët me autizëm ose sindromën Down, si dhe për personat me çrregullime të shëndetit mendor dhe aftësi të kufizuara.
Kryebashkiaku i Pogradecit, Ilir Xhakolli, e cilësoi urgjente nevojën për një strukturë rezidenciale për të moshuarit në nivel qarku. Sipas tij, duhen dy godina të veçanta: njëra për kujdesin e personave me aftësi të kufizuara dhe tjetra për moshën e tretë. “Duhet një azil për të gjithë qarkun, që t’u japë siguri prindërve për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Ka të moshuar që jetojnë vetëm dhe rrezikojnë të harrohen plotësisht. Kjo nuk mund të mbështetet te vullnetarët, por kërkon struktura të mirëfillta. Po qe se sektori privat e bën këtë, përse jo edhe shteti?” tha ai.
Të lidhura
None found
Nga ana e saj, prefektja Florinda Zegullaj bëri me dije se bashkitë kanë propozuar zgjidhje konkrete për të përmirësuar shërbimet sociale. Një prej ideve është krijimi i një shoqërie aksionere ku të marrin pjesë të gjashta njësitë vendore të qarkut, me qëllim mbulimin e këtyre shërbimeve. Gjithashtu, i është drejtuar një apel qeverisë për investime në rikualifikimin e ndërtesave ekzistuese, duke marrë parasysh që numri i rasteve është në rritje dhe shërbimet janë të pamjaftueshme. U kërkua edhe krijimi i institucioneve të posaçme për të moshuarit dhe individët që e kanë të pamundur të integrohen në shoqëri.
Në gjithë juglindjen e vendit mungojnë qendra të specializuara, prandaj autoritetet lokale po bëjnë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme nga ana e qeverisë. Ata argumentojnë se kërkesat për asistencë sociale po shtohen nga viti në vit, duke e bërë domosdoshmëri krijimin e strukturave rajonale që u ofrojnë kujdes afatgjatë personave me aftësi të kufizuara, të moshuarve dhe fëmijëve me nevoja të veçanta.
