Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka bërë të ditur se mbledhja e radhës do të zhvillohet të premten më 24 korrik 2026. Në rendin e ditës, që përmban gjithsej 16 pika, në vendin e nëntë gjendet shqyrtimi i kërkesës së ardhur nga ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës, Albulena Haxhiu, si dhe njoftimet që lidhen me tërheqjen e dorëheqjeve nga ana e gjyqtarëve dhe personelit ndihmës të komunitetit serb.
Të lidhura
None found
Në letrën e saj të 19 qershorit 2026, drejtuar kryesuesit të KGJK-së, Rrustem Thaqi, Haxhiu kërkoi që çështjes së dorëheqjeve të paraqitura më parë nga gjyqtarët dhe stafi mbështetës serb në sistemin gjyqësor të Kosovës, t’i vihet një pikë përfundimtare.
Në dokument theksohej se, “lënia në pritje e këtyre pozitave për një kohë të zgjatur dëmton sigurinë juridike, bllokon funksionimin e plotë të drejtësisë dhe zvogëlon efikasitetin e institucioneve përkatëse”.
Ndërkohë, Këshilli Prokurorial i Kosovës në mbledhjen e 20 korrikut 2026 vendosi të mos pranojë tërheqjen e dorëheqjeve nga prokurorët dhe stafi ndihmës i komunitetit serb. Në vend të kësaj, rastet iu përcollën u.d. Presidentes për lirim nga detyra.
Një ditë pas këtij vendimi, më 21 korrik, Albulena Haxhiu nënshkroi dekretet që lironin nga detyra shtatë prokurorë serbë, të cilët e kishin dhënë dorëheqjen që në vitin 2022.
Bashkimi Evropian reagoi ashpër ndaj këtyre veprimeve, duke i konsideruar në kundërshtim me legjislacionin. Në deklaratën e tyre thuhet: “BE është e shqetësuar nga vendimi i djeshëm i Këshillit Prokurorial të Kosovës për të pranuar dorëheqje që ishin tërhequr tashmë dhe nga vendimi i sotëm i u.d. Presidentes që dekretoi këto dorëheqje. Kjo duket se nuk përputhet me ligjin, me procedurën e rregullt ligjore dhe me kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë.” BE-ja gjithashtu i bëri thirrje të gjitha institucioneve kompetente që të shmangin veprime që synojnë të pengojnë riintegrimin e stafit gjyqësor serb në Kosovë.
