Ministria e Shëndetësisë e Venezuelës njoftoi se tre persona kanë humbur jetën si pasojë e hantavirusit në shtetin lindor të Anzoateguit.
Ndërkohë, po hetohen edhe vdekjet e dy punonjësve të shëndetësisë në shtetin Barinas. Sipas autoriteteve, deri në këtë fazë nuk është konstatuar ndonjë lidhje mes këtyre vdekjeve dhe rasteve të konfirmuara në Anzoategui.
Të lidhura
None found
Ministria deklaroi se rastet konsiderohen të izoluara dhe se, për momentin, nuk paraqitet rrezik për shëndetin publik.
Në njoftimin zyrtar u sqarua se hantavirusi përhapet kryesisht nga brejtësit që gjenden në zona rurale dhe bujqësore. Njerëzit mund të infektohen duke thithur grimca të ndotura me urinë, jashtëqitje ose pështymë të brejtësve, sidomos brenda hapësirave të mbyllura.
Autoritetet shëndetësore theksuan gjithashtu se në Venezuelë nuk ekzistojnë dëshmi shkencore për transmetimin e këtij virusi nga një person te tjetri.
Muajin e kaluar, Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) bënë të ditur se kishin përmbyllur reagimin ndaj një shpërthimi të hantavirusit në një anije turistike, ngjarje në të cilën vdiqën tre persona.
CDC-ja sqaroi se shpërthimi ishte shkaktuar nga varianti “Andes” i hantavirusit. Deri tani, ky mbetet i vetmi lloj i njohur që mund të kalojë nga njeriu te njeriu përmes një kontakti të afërt dhe të zgjatur.
