Mbledhja e grupit parlamentar demokrat, duket se ka sjellë vendimin për t’i dhënë fund bojkotit dhe për të marrë pjesë në seancën plenare që nis së shpejti në Kuvend.
Në sallën e parlamentit kanë hyrë tashmë Gent Strazimiri, Flamur Noka, Gazment Bardhi, Sali Berisha, Saimir Korreshi dhe disa deputetë të tjerë.
Të lidhura
None found
Ata kanë evituar hyrjen ballore të ndërtesës së Kuvendit, duke kaluar përmes anës së një qendre tregtare që gjendet në atë zonë.
Në përputhje me urdhrin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, seanca do të hapet me miratimin e procesverbalit të datës 16 korrik dhe me njoftimet përkatëse.
Një ndër çështjet kryesore të agjendës është prezantimi i Raportit të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2025.
Raporti do të paraqitet nga bashkëkryetarët e këtij këshilli, në zbatim të ligjit që rregullon funksionin e Kuvendit në kuadër të negociatave dhe procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Gjithashtu, deputetët do të kalojnë në shqyrtim projektligjin “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)”, i cili synon afrimin e kuadrit ligjor vendas me standardet e Bashkimit Europian në lëmin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe ekonomik.
Më pas, parlamenti pritet të diskutojë dhe të miratojë tetë projektrezoluta që vlerësojnë aktivitetin e institucioneve të pavarura dhe organeve të drejtësisë për vitin 2025.
Konkretisht, do të kalojnë në filtër raportet dhe projektrezolutat për Avokatin e Popullit, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Prokurorinë e Përgjithshme, Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si dhe për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.
Për secilën prej këtyre pikave, parashikohet që raportet të prezantohen nga titullarët e këtyre organeve, ndërsa Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale do të paraqesë projektrezolutat. Po ashtu, do të ketë hapësirë për debate parlamentare, nëse kjo kërkohet në bazë të Rregullores së Kuvendit.
Seanca plenare do të mbyllet me diskutimet e deputetëve për tema që nuk bëjnë pjesë në rendin e ditës, duke iu referuar dispozitave të Rregullores së Kuvendit.

