Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Dr. Shaqir Zulbeari, vizitoi sot Gostivarin bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Dr. Sasho Klekovski, si dhe drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm të Gostivarit. Vizita u realizua për të vlerësuar nga afër gjendjen e pacientëve që janë paraqitur me shqetësime gastrointestinale.
Të lidhura
None found
Sipas Zulbearit, ekipet e Institutit të Shëndetit Publik kanë dalë menjëherë në terren dhe kanë filluar hetimin epidemiologjik, me synim zbulimin sa më të shpejtë të shkakut të situatës.
“Qendra e Shëndetit Publik është e përfshirë drejtpërdrejt në procesin e identifikimit të shkaktarit. Ekipet tona kanë nisur me anketat epidemiologjike dhe grumbullimin e mostrave, të cilat janë vendimtare për përcaktimin e burimit të problemit”, deklaroi ai.
Ai u apeloi qytetarëve që kërkojnë ndihmë në institucionet shëndetësore për simptoma gastrointestinale që të bashkëpunojnë me ekipet epidemiologjike dhe të plotësojnë pyetësorët përkatës.
“Përveç marrjes së ndihmës mjekësore, është me rëndësi të madhe që pacientët të ofrojnë të dhënat e nevojshme përmes anketës epidemiologjike. Çdo informacion ka vlerë dhe kontribuon për zbulimin më të shpejtë të shkaktarit”, tha Dr. Zulbeari.
Zulbeari nënvizoi se Instituti i Shëndetit Publik do të vazhdojë ta ndjekë situatën në koordinim të plotë me Ministrinë e Shëndetësisë, Spitalin e Gostivarit dhe institucionet e tjera përgjegjëse.
“Do të qëndrojmë në terren dhe në shërbim të qytetarëve 24 orë në ditë, derisa situata të sqarohet plotësisht dhe të identifikohet shkaktari”, deklaroi Zulbeari.
