Më shumë se 100 milionë njerëz në 18 shtete amerikane dhe në Uashington DC janë prekur nga përkeqësimi i cilësisë së ajrit, si pasojë e tymit që vjen nga zjarret e mëdha në Kanada.
Të lidhura
None found
Ndotja e lartë është regjistruar në Chicago, Detroit, Milwaukee, Filadelfia dhe Uashington, ku autoritetet kanë këshilluar banorët të kufizojnë daljet dhe të përdorin maska mbrojtëse kur është e nevojshme të dalin jashtë.
Pasojat e tymit kanë sjellë edhe shtyrjen e ndeshjeve sportive, anulimin e veprimtarive në ambiente të hapura dhe mbylljen e përkohshme të disa parqeve argëtuese.
Ekspertët paralajmërojnë se grimcat e imëta të pranishme në tym mund të shkaktojnë vështirësi të rënda në frymëmarrje, si edhe të rëndojnë sëmundjet e zemrës dhe mushkërive. Rreziku është më i madh për fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore.
Meteorologët presin që kushtet të nisin të përmirësohen gjatë fundjavës, ndërsa reshjet, ndryshimi i drejtimit të erërave dhe një front i ftohtë pritet të ndihmojnë në largimin e tymit.
