Një person 43-vjeçar nga Shkupi është vënë në pranga të premten në mëngjes në zonën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, pasi dyshohet se ishte i përfshirë në kontrabandë mallrash. Gjatë aksionit, policia ka konfiskuar dy automjete transportuese.
Të lidhura
None found
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se rreth orës 08:00, efektivët policorë kanë konstatuar persona që po kalonin mallra nga një automjet në tjetrin, në vijën kufitare mes fshatrave Tanushë dhe Mjak.
Sipas MPB-së, bëhej fjalë për ngarkim dhe shkëmbim mallrash ndërmjet një automjeti transportues “Volkswagen” me targa të Kosovës dhe një automjeti “Peugeot” me targa të Shkupit.
Policia reagoi për t’i ndaluar automjetet dhe për të verifikuar personat e përfshirë. Në këtë operacion u arrestua A.A. (43) nga Shkupi, i cili drejtonte automjetin “Peugeot”, ndërsa shoferi i “Volkswagen”-it u largua drejt territorit të Kosovës.
MPB-ja thekson se është koordinuar me pjesëtarët e Policisë së Kosovës – Task Force, të cilët morën masa për ndalimin e automjetit. Megjithatë, gjatë përpjekjes për t’iu shmangur ndalimit, automjeti doli nga rruga.
Të dyja automjetet janë sekuestruar për vijimin e procedurave, ndërsa për rastin është informuar prokurori publik. Pas sqarimit të plotë të rrethanave, do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
