Gjatë një prononcimi për gazetarët, ushtruesja e detyrë së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se seanca për konstituimin e përbërjes së re parlamentare të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit, do të mbahet në fillim të gushtit.
Haxhiu u shpreh se për shkak që pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës nis afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit, ka vlerësuar që t’u japë kohë partive për diskutime për çështjen e presidentit.
Të lidhura
None found
Pikërisht, mosarritja e konsensusit muaj më parë mes partive për një president të ri të vendit nxiti mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
“Afati kushtetues është deri më 7 gusht dhe në fillim të gushtit do të ketë seancë konstituive. Javën e ardhshme ju premtoj që do ta dini ditën e saktë edhe orën e saktë”, tha Haxhiu për gazetarët.
Më 10 korrik, dy ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare, udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, zhvilloi takime me krerët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ndërkaq, Aleanca refuzoi ftesën e kryeministrit në detyrë, Kurti.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, pas takimit me Kurtin tha se partia e tij do të mbetej në opozitë.
Ndërkaq, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku paralajmëroi vazhdimin e diskutimeve.
Megjithatë, më 15 korrik Abdixhiku, tha se është i detyruar që të pezullojë diskutimet për formimin e institucioneve të reja me Kurtin, për shkak të një nisme partiake për shkarkimin e tij nga kreu i LDK-së.
Abdixhiku paralajmëroi se vendi rrezikon që potencialisht të mbesë pa institucione dhe të ketë zgjedhje të reja në vjeshtë.
Haxhiu e vlerësoi si serioze përpjekjen e Kurtit për formimin e institucioneve të reja, e cila, sipas saj, po vazhdon.
“Kryeministri Kurti ka ftuar partitë politike për këtë qëllim, por LDK-ja i ka pezulluar negociatat, ndërsa PDK-ja ka pasur qëndrimin e vet dhe Aleanca nuk i është përgjigjur pozitivisht ftesës. Nuk mund të ketë detyrime për t’iu përgjigjur këtyre takimeve, por është shumë e rëndësishme që për hir të qytetarëve të Kosovës dhe për vetë shtetin tonë, që të ketë përpjekje maksimale që ta gjejmë një zgjidhje. Askush nuk i do zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë sepse nuk do të zgjidhnin asgjë”, u shpreh Haxhiu.
Votimet e 7 qershorit ishin të tretat parlamentare që Kosova organizoi në më pak se një vit e gjysmë.
Partia në pushtet, LVV-ja e Kurtit, sipas rezultatit të certifikuar i ka fituar 53 mandate. PDK i ka fituar 22 ulëse, LDK 18 ulëse dhe Aleanca shtatë ulëse.
Për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë nevojiten 61 vota në Kuvendin prej 120 ulësesh.
Partia e Kurtit, së bashku me partitë nga komunitetet pakicë joserbe i kanë numrat e nevojshme për këto dy procese. Por, për presidentin nevojitet një marrëveshje politike, pasi kërkohet prania e 80 deputetëve në dy rundet e para të votimit.
Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila i ka 18 deputetë, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.
Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit, atëherë organi ligjvënës shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.
Nëse vendi shkon në zgjedhje sërish, atëherë ato do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare që nga fillimi i vitit 2025./REL
