Anëtari i Komisionit të Prokurimit Publik, Kreshnik Tërnova disa ditë më parë është vënë zyrtarisht nën hetim nga SPAK për disa vepra penale të lidhura me një procedurë tenderimi në Spitalin e Dibrës.
Sipas informacioneve, Tërnova po hetohet për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, “korrupsion” dhe “deklarim të rremë”. Procedimi lidhet me një tender për asgjësimin e mbetjeve spitalore, në të cilin dyshohet se janë kryer shkelje të rënda.
Të lidhura
None found
Hetimet kanë nisur pas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili gjatë auditimit kishte evidentuar problematika në zhvillimin e procedurës së prokurimit.
Emri i Tërnovës është përmendur edhe në dosjen hetimore për skandalin e tenderave në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Ai është thirrur dhe marrë në pyetje nga prokurorët e posaçëm lidhur me kontaktet e dyshuara me biznesmenin Ermal Beqiri, i shpallur në kërkim.
Sipas SPAK-ut, brenda dhe rreth AKSHI-t dyshohet se vepronte një grup i strukturuar, i cili paracaktonte fituesit e tenderave dhe ushtronte presion ndaj operatorëve rivalë. Në dosje përmendet edhe rasti i biznesmenit Gerond Meçe, i cili dyshohet se është rrëmbyer dhe kërcënuar për t’u tërhequr nga procedurat e prokurimit.
Në arrati vijojnë të jenë Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi, ndërsa ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, është vendosur nën masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”.
Hetimet për të gjithë personat e përfshirë vijojnë dhe përgjegjësia penale mbetet për t’u përcaktuar nga organet e drejtësisë.
