Policia e Shkodrës ka vijuar hetimet dhe veprimet në terren për të përcaktuar autorësinë dhe përgjegjësitë për ngjarjen e ndodhur mesditën e sotme në lagjen “Vasil Shanto”.
Gjatë kontrolleve intensive u lokalizua dhe u arrestua 18-vjeçari që dyshohet se plagosi me thikë shtetasin V. K. brenda ambienteve të Poliklinikës. Bashkë me të u vu në pranga edhe babai i tij, i dyshuar si bashkëpunëtor në krim.
Të lidhura
None found
Operacioni u zhvillua nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, me synim kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të personave të përfshirë në ngjarje.
I arrestuari A. F., 18 vjeç dhe banues në Shkodër, akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Në pranga përfundoi gjithashtu A. M., 53 vjeç, banues në Shkodër dhe babai i 18-vjeçarit. Ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim.
Sipas dyshimeve të ngritura nga hetimet, A. F. dhe A. M., duke vepruar së bashku, kanë plagosur me mjet prerës, thikë, 32-vjeçarin V. K. në ambientet e Poliklinikës. I dëmtuari ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Lidhur me të njëjtën ngjarje, më herët shërbimet e Policisë parandaluan një tjetër akt kriminal dhe arrestuan në flagrancë A. K., 41 vjeç, vëllai i V. K. Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë për veprimet e mëtejshme.
