Gjykata e Xhenovës ka shpallur fajtor ish-drejtorin ekzekutiv të Autostrade per l’Italia (Aspi), Giovanni Castellucci, duke e dënuar me 12 vjet heqje lirie për përgjegjësinë në rrëzimin e urës Morandi në gusht 2018. Në këtë katastrofë humbën jetën 43 persona, ndërsa familjarët e viktimave e pritën vendimin me emocione dhe u përqafuan pas shpalljes së dënimeve.
Të lidhura
None found
Tragjedia ndodhi më 14 gusht 2018, në mes të një stuhie shiu dhe gjatë pikut të sezonit turistik. Një segment i viaduktit Morandi u shemb papritur, duke rrëzuar nga lartësia dhjetëra automjete dhe kamionë. Bilanci i viktimave ishte 43 të vdekur.
Castellucci ishte mes 57 personave të përfshirë si të pandehur në proces. Prokuroria kishte kërkuar një masë më të rëndë, por gjykata caktoi dënimin prej 12 vjetësh. Michele Donferri Mitelli, ish-zyrtar i lartë i kompanisë, u dënua me 11 vjet burg, ndërsa Paolo Berti, ish-zëvendësi i Castellucci-t, mori pesë vjet e gjysmë burgim.
Po me pesë vjet e gjysmë burg u ndëshkua Antonino Galatà, ish-drejtor ekzekutiv i Spea, kompanisë së mirëmbajtjes. Ndërkaq, Mauro Coletta, ish-zyrtar i lartë i Ministrisë së Transportit përgjegjës për mbikëqyrjen e autostradave, u dënua me pesë vjet burg.
Sipas prokurorisë, rrëzimi i urës erdhi si rezultat i mungesës së vazhdueshme të mirëmbajtjes dhe shpërfilljes së sinjaleve që paralajmëronin problemet me strukturën. Mbrojtja, nga ana tjetër, argumentoi se shkaku duhej kërkuar te defektet e projektit fillestar dhe te mënyra e realizimit të kabllove mbajtëse të urës.
Të afërmit e viktimave e përshëndetën vendimin e gjykatës. Emmanuel Diaz, i cili humbi vëllanë në katastrofë, tha se ishte “shumë i kënaqur” me dënimet. Egle Possetti, që humbi disa pjesëtarë të familjes, e vlerësoi dënimin 12-vjeçar ndaj Castellucci-t si “të pranueshëm”.
Pak para shpalljes së vendimit, drejtori aktual i Aspi-t, Arrigo Giana, kërkoi falje publikisht në emër të kompanisë. Ai pranoi se “veprimet dhe vendimet e disa njerëzve lanë plagë të pashlyeshme”. Megjithatë, një pjesë e familjarëve e panë këtë kërkimfalje si të vonuar dhe të pasinqertë. Cesare Cerulli, i cili humbi të atin në tragjedi, e quajti atë “lot krokodili”, duke akuzuar drejtuesit e kompanisë për mungesë përgjegjësie dhe ndjeshmërie.
