Departamenti i Shtetit i SHBA-së vlerëson se Dialogu Strategjik ndërmjet Uashingtonit dhe Beogradit hap një periudhë të re në raportet dypalëshe, duke reflektuar vullnetin për zgjerimin e partneritetit mes dy shteteve.
Të lidhura
None found
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, DASH bëri të ditur se procesi do të përqendrohet në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, si edhe në avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe arsimor, me synimin për krijimin e një partneriteti më të gjerë. Departamenti rikujtoi se Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, kishte njoftuar më 6 gusht të vitit të kaluar se SHBA-ja do ta zhvillojë këtë dialog me Serbinë. Raundi i parë është paraparë të mbahet më 17 korrik.
Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuric, e konsideroi zhvillimin një moment historik diplomatik. Sipas tij, dialogu do të ndikojë në forcimin e pozitës së Serbisë në arenën ndërkombëtare dhe do t’i japë Beogradit hapësirë të diskutojë çështje që i konsideron me interes, përfshirë Kosovën.
“Është e rëndësishme për ne edhe për Kosovën, ku mbështetemi në mbrojtjen e popullit tonë, si edhe për Republikën Sërpska, ku vitin e kaluar patëm mirëkuptim të konsiderueshëm nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump për zgjidhjen e problemeve në Bosnje e Hercegovinë”, tha ai.
Dialogu Strategjik është një format që Shtetet e Bashkuara e përdorin me partnerë të ndryshëm për të thelluar bashkëpunimin në ekonomi, siguri, energji dhe politikë të jashtme.
Kjo nismë ndërmerret në kohën kur Uashingtoni kërkon të rrisë angazhimin e tij në Ballkanin Perëndimor, të kufizojë ndikimin rus dhe kinez në rajon, si edhe të mbështesë ecurinë e dialogut Kosovë-Serbi drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare.
