Me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, Kosova ndodhet tashmë në një moment kyç politik, ndërsa vëmendja është përqendruar te ngritja e institucioneve të reja.
Të lidhura
None found
Procesi i konsultimeve ka nisur me takimet e para ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje, si forcë fituese, dhe partive opozitare. Megjithatë, këto bisedime ende nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat konkret.
Duke folur për “Bota sot”, profesori Enver Bytyçi tha se, pas përfundimit dhe certifikimit të procesit zgjedhor, çështja e mbetur është krijimi i institucioneve të reja shtetërore.
Ai komentoi gjithashtu takimet e zhvilluara mes drejtuesve politikë dhe zërat për mundësinë e një marrëveshjeje ndërmjet LVV-së dhe LDK-së.
“Zgjedhjet në Kosovë kanë përfunduar, rezultatet janë shpallur dhe janë certifikuar. Tani mbetet të ngrihen institucionet. Albin Kurti, si kryeministër dhe drejtues i shumicës, është takuar me dy liderë të rëndësishëm të opozitës: me kryetarin e Partisë Demokratike, Bedri Hamza, si dhe me ‘dy bashkëkryetarët’ e Lidhjes Demokratike, Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku. Hamza nuk ka lënë asnjë mundësi për marrëveshje ndërmjet palëve. Ndërsa Osmani dhe Abdixhiku e kanë mbajtur të hapur këtë mundësi. Spekulimet për një koalicion apo marrëveshje mes Vetëvendosjes dhe LDK-së janë të shumta. Në anën tjetër, AAK-ja ka vendosur kushte për mbështetjen e një koalicioni me VV-në. Një prej tyre është pranimi nga Kosova i investimit amerikan në energjetikë. Nuk mund të them se AAK-ja gabon, sepse nuk i njoh avantazhet dhe disavantazhet e një marrëveshjeje me SHBA-të për shfrytëzimin e potencialit energjetik të Kosovës. Në parim, do të dëshiroja marrëdhënie të afërta, por edhe korrekte me amerikanët; kjo nënkupton edhe lëshime taktike në këmbim të mbështetjes strategjike nga Uashingtoni. Por këto janë dëshira. Zbatimi konkret vjen përmes negociatave dhe marrëveshjeve përkatëse”, u shpreh ai.

Sipas Bytyçit, negociatat sapo kanë filluar dhe ende nuk është e qartë nëse palët po diskutojnë për zgjedhjen e presidentit apo për një bashkëqeverisje.
Ai vlerësoi se, në rast se bisedimet lidhen me postin e presidentit, atëherë ky funksion mund t’i takojë subjektit opozitar që pranon ofertën e LVV-së.
Në këtë kuadër, ai e konsideroi LDK-në si partinë me më shumë gjasa për të hyrë në koalicion me LVV-në, duke përmendur edhe mundësinë që Vjosa Osmani të synojë një mandat tjetër presidencial.
“Mendoj se bisedimet për formimin e institucioneve kanë nisur vetëm tani. Nuk e dimë nëse tema është posti i presidentit apo bashkëqeverisja. Nëse flitet për presidentin, atëherë kjo nënkupton që posti t’i jepet partisë opozitare që i përgjigjet ofertës së shumicës. Në rastin konkret, pritet që ajo parti të jetë Lidhja Demokratike e Kosovës. Në takimin e Kurtit me dy liderët e kësaj partie është biseduar për këtë çështje, por askush nuk e di cili emër është paraqitur nga LDK-ja. Mund të jetë Vjosa Osmani, e cila kishte kandiduar për këtë post në zgjedhje dhe mund të synojë ta mbajë sërish. Mund të jetë përmendur edhe ndonjë emër tjetër. Por nuk besoj se zonja Osmani ka hequr dorë nga ambicia për ta vazhduar detyrën e kreut të shtetit edhe për një mandat të dytë. Heshtja e saj deri tani më jep sinjalin se ajo ende shpreson për këtë”.
“Nëse Kurti e pranon ofertën e Lidhjes Demokratike për Osmanin, Abdixhiku do të përpiqet të kënaqë disa prej bashkëpunëtorëve të tij me poste ministrore. Kjo nënkupton se Lidhja Demokratike do të kërkojë pjesëmarrje në qeveri me një numër jo të vogël ministrish, ndoshta 4-6 të tilla, përveç postit të presidentit. Këto ditë ndodhi një zhvillim interesant: ushtruesja e detyrës së presidentes, zonja Albulena Haxhiu, dekretoi zgjedhjen e kryeprokurorit të ri. Opozita nuk reagoi. A do të thotë kjo se Lumiri dhe Vjosa kanë dhënë miratimin për ndryshimet para zgjedhjes së presidentit, si garanci që Vjosa, në këtë post, nuk do ta pengojë reformën në drejtësi? Dhe a kanë marrë në këmbim pëlqimin e Kurtit për ta votuar atë si kandidate? Edhe kjo mbetet brenda dhomës apo zyrës ku është biseduar”, shtjelloi ai.
Profesori vuri në dukje se LVV-ja dhe LDK-ja, së bashku, nuk mund të arrijnë më shumë se 81 vota. Sipas tij, mbetet e pasigurt nëse të gjithë deputetët e LDK-së do të votonin për presidentin.
Për këtë arsye, ai konsideron se kërkohet një marrëveshje më e gjerë për zgjedhjen e kreut të shtetit, duke përmendur mundësinë e opsioneve me PDK-në ose AAK-në për sigurimin e votave të nevojshme.
“Ajo që vërej është se votat e mazhorancës dhe të LDK-së në Kuvend nuk e kalojnë numrin 81. Mirë, për zgjedhjen e presidentit nevojiten 80 vota dhe mund të supozohet se 81 janë të mjaftueshme. Por kush e garanton se të gjithë këta deputetë do të votojnë për Vjosa Osmanin? Kush garanton se dy ose tre deputetë nuk do të largohen nga seanca e fundit e votimit? Më duket e rrezikshme që votimi për kreun e shtetit të bëhet me një numër minimal votash. Prandaj duhet një zgjidhje më e fortë. Ndoshta Bedri Hamza dhe deputetët e tij do të qëndrojnë në seancën e tretë për zgjedhjen e presidentit, ndonëse do të votojnë kundër, por kjo nuk është e garantuar. Ndoshta edhe Lista Srpska do të jetë e pranishme për arsye konjukturale apo për llogaritë e saj politike. Edhe kjo, megjithatë, mbetet hipotezë. Problemi është se një koalicion me Lidhjen Demokratike nuk garanton kuorumin e deputetëve”.
“Më pas, skenari rezervë janë deputetët e AAK-së. Nëse ata qëndrojnë në Kuvend, duhet t’u bëhet publikisht një ofertë duke iu njohur kushtet që kanë vendosur. AAK-ja synon të paraqitet si parti pro-amerikane, ndërsa unë besoj se të gjitha partitë politike në Kosovë janë të tilla, përveç Listës Srpska. Ndoshta edhe kjo listë, për shkak të Grenellit. Por Grenelli është kundër Kurtit dhe nuk ka asnjë përpjekje të tij për ta bindur Listën Srpska të qëndrojë në sallë gjatë zgjedhjes së presidentit”.
Në përmbyllje, Bytyçi theksoi se këto mbeten kalkulime dhe se ende nuk ka asgjë përfundimtare lidhur me mënyrën se si mund të zhvillohen ngjarjet. Ai nënvizoi, megjithatë, se Kosova duhet të krijojë sa më shpejt institucionet e reja.
Sipas tij, vendi nuk mund të shkojë përsëri në zgjedhje, pasi një proces i tillë do ta dëmtonte Kosovën dhe do ta kthente prapa, sikurse në të kaluarën.
“Pavarësisht gjithë këtyre kalkulimeve, duhet të them se Kosova duhet të bëhet me institucione me çdo kusht. Nuk ka mundësi që vendi të shkojë sërish në zgjedhje. Përndryshe, Millosheviqi i ri në Beograd është gati ta spastrojë atë etnikisht nga shqiptarët. Këtë e mësuam edhe një herë drejtpërdrejt nga ministrja e Vuçiqit dhe partnerja e Edi Ramës në qeverinë e Serbisë. Nuk e di çfarë duhet të mësojmë më shumë që të kompaktësohemi përballë një rreziku të ri serb. Kosova nuk mund të kthehet në gjendjen dhe statusin e para vitit 1999. Nëse duan të kthehen, atëherë Bedriu, Lumiri, Ardiani dhe bashkë me ta edhe Albini le të mbyten të katër së bashku në një bunar, që të paktën Kosova të shpëtojë prej tyre. Por Zoti mos e thashtë që, në vend të tyre, të rikthehet Hashim Thaçi”, përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.
