Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) ka njoftuar fillimin e një vale të re sulmesh ajrore kundër Iranit.
Të lidhura
None found
Në një postim në platformën X, CENTCOM bëri të ditur se operacioni i ri ka nisur në orët e mëngjesit dhe ka si shënjestër kapacitetet ushtarake iraniane.
Sipas deklaratës, forcat amerikane filluan goditjet në orën 06:00 me kohën lindore të SHBA-së.
Ushtria amerikane sqaroi se këto sulme synojnë të dobësojnë më tej aftësitë ushtarake të përdorura nga Irani për të goditur anijet tregtare që lundrojnë në ngushticën e Hormuzit.
Ky veprim ushtarak vjen pasi Uashingtoni ka rivendosur bllokadën detare ndaj porteve iraniane dhe ka kryer një seri tjetër goditjesh mbi objektiva në territorin e Iranit. Ushtria njoftoi se vala e mëparshme e sulmeve, e zhvilluar gjatë natës së kaluar, përfundoi rreth orës 22:00 (koha lindore) dhe shënjestroi dhjetëra objektiva ushtarake në afërsi të ngushticës së Hormuzit dhe në zonat bregdetare.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump ka përsëritur kërcënimet ndaj Teheranit, duke theksuar se SHBA mund të godasë ura dhe centrale elektrike në Iran gjatë javës së ardhshme, nëse autoritetet iraniane nuk pranojnë të rikthehen në tryezën e negociatave.
