Arlind Manxhuka, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, ka theksuar se Serbia zyrtare nuk ka ndërmarrë kurrë hapa për t’u distancuar nga linja politike e Sllobodan Millosheviqit.
Të lidhura
None found
Duke folur për këtë çështje, Manxhuka vuri në dukje se problematik mbetet fakti që shteti serb nuk ka treguar asnjë shenjë shkëputjeje nga ajo periudhë. Ai shtoi se aktualisht në krye të shtetit qëndron dikush që ka shërbyer si ministër në qeverinë e Millosheviqit, dhe se qëndrimet e tij ndaj Kosovës nuk kanë pësuar ndryshim cilësor.
Sipas zëdhënësit, retorika e tillë shpjegon edhe deklaratën e një ministreje serbe, e cila u shpreh se nëse do të gjendej në vendin e Millosheviqit, do ta pastronte etnikisht Kosovën.
Në një postim në Facebook, Manxhuka vijoi duke nënvizuar se edhe pse kanë kaluar gati 27 vjet nga spastrimi etnik i kryer nga regjimi i Millosheviqit, elitat sunduese në Serbi kanë ruajtur të njëjtin mentalitet, duke e përshtatur atë me kontekstin e ri. Ai solli si shembull rastin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili së fundmi deklaroi se Milan Radojçiq nuk është kriminel, pavarësisht se ky i fundit udhëhoqi tentativën terroriste të shtatorit 2023 për aneksimin e veriut të Kosovës.
Manxhuka tërhoqi vëmendjen edhe te situata në Luginën e Preshevës, ku pretendohet se administrata serbe prej vitesh zhvillon një spastrim etnik të heshtur ndaj popullatës shqiptare. Ai theksoi se Kosova është plotësisht e ndërgjegjshme për natyrën e bashkëbiseduesit, ndërsa i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që përtej dënimit të gjuhës së urrejtjes, të reflektojë thellë sa herë që negocion me Serbinë çështje të integrimit, reformave dhe fondeve. Sipas tij, deklaratat e tilla nuk përbëjnë thjesht incidente verbale, por pasqyrojnë aspirata reale, prej të cilave shteti i Serbisë ende nuk është tërhequr.
