Gjatë një interviste për rubrikën “Now”, meteorologia e njohur Lajda Porja, paralajmëroi se pas një nisjeje relativisht të zakonshme të korrikut, gjysma e dytë e muajit do të sjellë një rritje të ndjeshme të temperaturave, të cilat në disa zona mund të shënojnë deri në 40 gradë Celsius.
Sipas parashikimeve të saj, kulmi i valës së të nxehtit do të ndihet ditën e enjte dhe të premte, kur termometri parashikohet të ngjitet deri në 40 gradë në disa qarqe.
Të lidhura
None found
Rajonet ku priten temperaturat më ekstreme janë Shkodra, Tirana, Elbasani, Berati dhe Gjirokastra, ndërsa vlera më të ulëta do të regjistrohen në zonat malore, veçanërisht në qarkun e Korçës.
Porja u shpreh se duke filluar nga e marta dhe deri të dielën, masat ajrore të nxehta me origjinë nga Afrika do të shtrihen sërish mbi Gadishullin e Ballkanit dhe për pasojë mbi Shqipëri, duke shkaktuar rritje të mëtejshme të temperaturave.
“E gjithë pjesa e mbetur e korrikut do të jetë e nxehtë, duke përjashtuar ndonjë moment të shkurtër ku mund të kemi një dobësim të përkohshëm të valës së të nxehtit për 24 ose 48 orë, me temperatura që lëvizin rreth 34-35 gradë. Ditët e tjera do të jenë mjaft të nxehta. Më pas, të shtunën dhe të dielën, temperaturat do të pësojnë një rënie të lehtë, por do të qëndrojnë sërish në nivele të larta. Reshjet do të mungojnë në pjesën dërrmuese të vendit, me përjashtim të rrebesheve të izoluara që mund të shfaqen të enjten dhe të premten në skajin verior dhe verilindor, konkretisht në zonat e Bajram Currit, Pukës, Kukësit, Peshkopisë dhe pjesë të veçuara të Matit. Në këto ditë, territori tjetër do të ruajë kthjelltësinë paradite, me vranësira kalimtare pasditeve por pa reshje”, tha ajo.
Ekspertja sqaroi se përgjatë brigjeve detare temperaturat do të shënojnë deri në 36 gradë, ndërsa në rivierën e jugut deri në 37 gradë. Zonat malore do të përjetojnë rreth 32 gradë, dhe qarku i Korçës do të shijojë vlerat më të freskëta të javës.
Për sa i takon nisjes së javës, ajo bëri të ditur se për ditën e sotme parashikohet një maksimum 35-36 gradë, me mot kryesisht të kthjellët në gjithë hapësirën shqiptare, vranësira të lehta e kalimtare dhe pa rreziqe për reshje.
Duke iu referuar situatës në vendet fqinje, Porja theksoi se Kosova dhe Maqedonia e Veriut aktualisht kanë vlera normale të temperaturës, me 29-30 gradë në Prishtinë dhe deri në 32 gradë në Shkup.
Megjithatë, vala e të nxehtit do të depërtojë në rajon duke filluar nga e marta, me vonesë një ditore krahasuar me Shqipërinë. “Në Kosovë pritet që temperaturat të ngjiten në 34-35 gradë, ndërkohë në Gjakovë dhe Prizren deri në 36 gradë.
Në Shkup, kulmi pritet ditën e premte. Edhe këtu moti do të jetë kryesisht i kthjellët, por pasditeve mund të krijohen rrebeshe të izoluara në zonat kufitare të Kosovës me Shqipërinë. Nga mesi i javës moti do të bëhet përvëlues për të gjithë vendet e Ballkanit, veçanërisht për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat tradicionalisht kanë temperatura më të moderuara se Shqipëria,” përfundoi meteorologia.
